OSMANI I QUAN SPEKULIME AKUZAT E ILIEVSKIT, “LEJONI INSTITUCIONET TË BËJNË PUNËN E TYRE”

TË FUNDIT

Vendin e kishte të rezervuar në radhën e parë,  por i pari i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi nuk u pa në ceremoninë e diplomimit të studentëve.  As në Universitetin e Tetovës, e as tek “Nënë Terezë”.

Emri i ministrit ditëve të fundit u apostrofua nga Inspektori i Arsimit Gjorgji Ilievski, i cili pohon se

në Universitetin e Tetovës, ka konstatuar parregullsi në avancimin në docent të tre funksionarëve publik, mes të cilëve edhe Arbër Ademi. Ilievski madje tha se e kanë lutur që ky rast të heshtet.

Por këto pohime i hodhi poshtë zëvendëskryeministri Bujar Osmani.

“Jo nuk janë të vërteta, janë spekulime. Leni institucionet të bëjnë punën e tyre”, deklaroi Bujar Osmani, zëvendëskryeministër për Çështje Evropiane.

Pas fjalimit të tij para studentëve, Osmani Arsyetoi mungesën e Ademit në ceremoninë e diplomimit të tyre.

“Desha si njoftim meqë e përmendi rektori. Ministri i Arsimit për momentin është në Lubjanë për shënimin e 70 vjetorit të shoqatës së shqiptarëve atje, “Migjeni”. Ne e vlerësuam se është e rëndësishme që të kemi një përfaqësues të lartë, meqenëse kontributi i shqiptarëve të diasporës ka qenë kyç  edhe për zhvillimin tonë. Andaj kërkoj ndjesë në emër të ministrit që nuk mundej të jetë këtu”, u shpreh zëvendëkryeministri për Çështje Evropiane, Bujar Osmani.

Ndryshe kjo është gjenerata e parë e studentëve të cilët diplomuan në universitetin “Nënë Terezë”

“Shumë suksese dhe shumë punë presim e ardhmja është e jona”, tha një student.

Tradicionalisht me hedhjen e kapelave, edhe  absolventët e Universitetit në Tetovë e festuan përfundimin e arsimit të lartë. Gjithsej 1.039 studentë nga 13 fakultete sot në prani të familjarëve të tyre i morën certifikatat për mbarimin e studimeve.

Përgatiti: Afrim Jonuzi