Osmani: Do të bëj çdo përpjekje që të mërkurën të jem në Shkup dhe t’i drejtohem Komisionit për Politikë të Jashtme

TË FUNDIT

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, njoftoi se do të bëjë çdo përpjekje që të jetë në Shkup të mërkurën dhe t’u drejtohet deputetëve dhe anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvend. Ai kërkoi nga deputeti Antonio Milloshoski që të caktojë seancën dhe të zgjedhë ambasadorët e rinj, transmeton TV21.

“Do t’i bëj të gjitha përpjekjet për ta ndërprerë ofanzivën aktuale politike që të mërkurën për disa orë të jem në Shkup për t’iu drejtuar deputetëve dhe anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Pres që së paku, me të njëjtin zell edhe Antonio Milloshoski të caktojë seancën në të cilën do t’i prezanojnë tezat edhe Ambasadorët e zgjedhur, me çka do të hapet rruga për dërgimin e tyre në vendet të cilat i mbulojnë”, shkruan Bujar Osmani në rrjetin social Facebook.

Kujtojmë që deputeti nga VMRO-DPMNE dhe kryetari i Komisionit për Politikë të Jashtme Antonio Milloshoski, njoftoi se do të caktojë seancë të Komisionit të mërkurën në ora 15:00 dhe do ta ftojë ministrin e Jashtëm Bujar Osmani të paraqesë draftin e Planit të Veprimit dhe Udhërrëfyesin për të cilin kryeministri Zaev dhe i dërguari special Vllado Buçkovski po negociojnë me Sofjen.

Mes tjerash, Milloshoski bëri të ditur se protestat e VMRO-DPMNE-së do të vazhdojnë të hënën dhe të martën para Ministrisë së Jashtme nga ora 17:00 deri në ora 19:00.