Ortodoksët festojnë “Ujin e Bekuar” / Ndër festat më të mëdha krishtere

TË FUNDIT

17-vjeçari Gjorgji Nikollovski pati fatin që nga mbi 150 besimtarë që u hodhën në ujë, ta kapë kryqin e shenjtë në Shkup, ku kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Maqedonase, hirësia e tij Stefan shenjtëroi ujërat e lumit Vardar. Para vendosjes së kryqit u organizua një litani nga Kisha “Lindja e Shën Marisë”, ku paraprakisht u mbajt liturgji. Dioqeza Ortodokse e Shkupit, si çdo vit, po ashtu edhe sivjet organizoi ceremoni për shenjtërimin tradicional të ujërave të lumit Vardar dhe vendosje të kryqit të shenjtë.

“Zoti është i madh, Zoti po sheh gjithçka. Askush nuk mund kundër Zotit. Të gjithë të kemi unitet, të bashkohet Maqedonia, populli maqedonas. Të gjitha të mirat”, u shpreh Gjorgji Nikollovski, Shkup.

Nikolla Jakimoski e kapi kryqin në Liqenin e Ohrit. Ai ishte më me fat mes rreth një mijë kandidatëve të cilët këtë mëngjes hynë në ujërat e ftohta të liqenit.

“Qoftë për shumë mote, shëndet, lumturi dhe dashuri për të gjithë. Qofshim të shëndetshëm si thanë dhe t’i gëzojmë të gjitha të mirat në jetë. Të jemi të lumtur me atë që e kemi, lumturi, për shkak se në këtë mënyrë gjithçka po duket më bukur”, tha Nikolla Jakimoski, Ohër.

Kjo festë është ndër festat më të mëdha krishtere. Njihet se është festuar që në shekullin e parë të erës së krishterëve. Është simbol i pagëzimit të Jezus Krishtit nga ana e Shën Joanit i cili që prej atëherë quhet Pagëzues.