Orban kundër sanksioneve ndaj Rusisë për importet e naftës dhe gazit

TË FUNDIT

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban deklaroi dje se vendi i tij është kundër sanksioneve të mundshme ndaj Rusisë për importet e naftës dhe gazit natyror.

Pas një takimi në Londër me homologët e tij nga vendet e tjera të Grupit të Vishegradit, Polonia, Çekia dhe Sllovakia së bashku me kryeministrin britanik Boris Johnson, Orban tha në një deklaratë se Hungaria dënon fillimin e luftës nga Rusia kundër Ukrainës, por nuk do të lejojë që familjet hungareze “të detyrohen të paguajnë çmimin e luftës”.

Ai tha se është në interesin e të gjithëve që të përfundojë lufta sa më shpejt të jetë e mundur dhe vendi i tij do të bëjë të gjitha përpjekjet për ta bërë këtë.

Duke shtuar se sanksionet e vendosura ndaj Rusisë prekin të gjitha vendet në Evropë, ai tha se shtrirja e sanksioneve ndaj sektorit energjetik të Rusisë do të prekë Hungarinë “shumë seriozisht”.

Orban tha se Hungaria blen shumicën e naftës dhe gazit natyror nga Rusia dhe 90 për qind e familjeve hungareze ngrohin shtëpitë e tyre me gaz, duke shtuar se ekonomia hungareze nuk mund të funksionojë pa naftë dhe gaz.

Lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila filloi më 24 shkurt, ka nxitur reagim të ashpër ndërkombëtar, duke çuar në sanksione financiare ndaj Moskës dhe ka nxitur një eksod të kompanive globale nga Rusia.

Të paktën 474 civilë janë vrarë ndërsa 861 të tjerë janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i luftës, sipas OKB-së, e cila shtoi se kushtet në terren e bëjnë të vështirë verifikimin e numrit të saktë.

Rreth 2 milionë njerëz kanë ikur në vendet fqinje, ka njoftuar Agjencia e OKB-së për Refugjatët.