Nga e mërkura e gjithë Maqedonia e Veriut do të jetë në orë policore nga ora 16 deri në orën 5 të mëngjesit. Në fundjavë ndalesa për lëvizje do të jetë 24 orëshe, pra nis të premten në ora 16 dhe përfundon të hënën në orën 5.
Këtë vendim qeveria e vendit e solli pas propozimit të marë nga Komisionit për sëmundje infektive në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shtabit të Përgjithshëm të Krizave.
Përveç kësaj, lëvizjet e qytetarëve janë rregulluar edhe me kategori sipas moshës.
“Për personat mbi 67 vjeç, lëvizja është e ndaluar gjatë gjithë ditëve të punës, nga e hëna në të premte, përveç në periudhën nga 10:00 deri në ora 12:00. Për të rinjtë deri në moshën 18 vjeç, lëvizja është e ndaluar gjatë gjithë ditëve të punës, nga e hëna në të premte, përveç në periudhën nga 13:00 deri në 15:00” ka shpjeguar Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe në Facebook.
Të gjitha këto kufizime të reja hyjnë në fuqi ditën e mërkurë, 8 Prill 2020, në orën 4 të mëngjesit. Gjatë fundjavës, është e ndaluar lëvizja e të gjithë qytetarëve nga e premtja në orën 16:00 deri në orën 05:00 të së hënës.
Sipas vendimit, lëvizja e qytetarëve në vendet publike dhe vendet publike në grupe më të mëdha se dy persona është e ndaluar dhe kjo nuk përfshin edhe personat nën moshën 14 vjeç, nëse ata janë fëmijë të një prindi që është pjesë e një grupi prej dy personave.
Për aktivitetet bujqësore lejohet lëvizja brenda territorit (zonës) së fshatrave, ekskluzivisht për nevoja pune.
Farmacitë do të punojnë pa pengesë dhe Ministria e Shëndetësisë do të hartojë një plan për funksionimin e qetë të objekteve shëndetësore.
Përjashtimet nga ndalesa e lëvizjes vlejnë për policinë, ushtrinë, punonjësit shëndetësorë (në ISHP dhe IPSH, si dhe mjekët e familjes) dhe për dyqanet dhe restorantet që kryejnë dorëzim të produkteve, me ç’rast ata angazhimet e tyre do t’i realizojnë pa probleme.
