Fronti Evropian nuk pajtohet me tekstin e ri të ligjit për punët e brendshme që e propozoi pushteti. Deputetja Arbana Pasholli thotë se propozimi nuk është i pranueshëm sepse në të nuk është paraparë përfaqësimi i drejtë, por as barazia gjinore, për të cilat ndonëse paralajmëroi se gjatë procedurës do të dorëzojnë amendamente, theksoi se nuk do të japin mbështetje për këtë ligj.
Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili më herët shpjegoi zgjidhjen ligjore, tha se ajo për të cilën foli Pasholli ka të bëjë me ligjin për polici, ndërsa përfaqësimi i drejtë mbetet në ligjin për punët e brendshme. Kjo është bërë për të mos përsëritur kjo dispozitë, sepse ligji për punët e brendshme ka të bëjë me të gjithë të punësuarit.
Me disa vërejtje doli edhe Oliver Spasovski nga LSDM, ish-ministër i Punëve të Brendshme. Ai tha se me zgjidhjen e re ligjore do të shfuqizohen shumë pozita pune. Toshkovski tha se është e vërtetë, por do të shfuqizohen pozitat udhëheqëse të cilat janë të tepërta.
Ligji e ka kaluar leximin e parë dhe më tej do të dërgohet në shqyrtim komisioni.
