Nepali ka shpallur tre ditë zie për viktimat e tërmetit që ra të shtunën dhe që mori jetën e të paktën 5,000 personave dhe plagosi më shumë se 10 mijë të tjerë. Kryeministri Sushil Koirala tha sot se qeveria po bën gjithçka që mundet, por shkalla e katastrofës është përtej mundësive të Nepalit.
Ende nuk është bërë një vlerësim i përgjithshëm i shkallës së dëmeve të tërmetit me magnitudë 7.9 ballë Richter të së shtunës, dhe që u pasua të dielën nga një tjetër tronditje prej 6.7 ballësh, por kryeministri u shpreh se numri i viktimave mund të arrijë deri në 10 mijë.
Për t’i ardhur në ndihmë Nepalit, Kombet e Bashkuara kanë akorduar një fond prej 15 milionë dollarësh, nëpërmjet Fondit të Emergjencës Qendrore, për të mundësuar përshpejtimin e punës së organizatave humanitare dhe për të siguruar asistencë për njerëzit që janë në nevojë.
Një ekip prej pesë personash nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA) ka mbërritur tashmë në kryeqytetin Katmandu. Gjithashtu, nëntë ekipe të kërkim-shpëtimit mbërritën në Nepal nga Turqia, Spanja dhe India, me një personel prej 287 personash dhe 25 qenë për të asistuar në kërkimin e trupave që janë zënë nga rrënojat.
