Raporti për trashëgiminë natyrore dhe kulturore të Ohrit, të cilin Qeveria e dorëzoi në UNESCO, nuk korrespondon me gjendjen reale, thonë organizatat civile nga Ohri, Struga dhe Pogradeci. Sipas tyre raporti është një transkriptim i thjeshtë dhe shumë aspekte të këtij raporti janë të pasakta. Nga 19 rekomandimet kryesore të UNESCO-s, vetëm katër janë zbatuar dhe atë vetëm pjesërisht, thonë organizatat joqeveritare.
“Urbanizimi i pakontrolluar përmendet në katër fjali dhe është një problem i madh që po ndodh në Parkun Kombëtar të Galiçicës dhe përmendet një dreri i kuq, i cili është shfaqur në gjysmë të rrugës. Pra urbanizimi, i cili është një problem i madh, është lënë pas dore. Ka gjëra të sakta që janë përmendur, por ka edhe lëshime të mëdha dhe janë të gabuara për të larguar vëmendjen e opinionit nga këto probleme”- deklaroi Nikolla Kiselinov – Shoqata Turistike “Biljana”, Ohër.
Përfaqësuesit e gjashtëmbëdhjetë organizatave joqeveritare nga vendi thonë se nuk është hera e parë që paraqitet një raport i tillë dhe problemi kryesor është se shteti nuk ka komunikim me sektorin joqeveritar edhe pse këtë e parashohin rekomandimet e UNESCO-s.
“Problem i madh është edhe mbrojtja e liqenit të Ohrit dhe ndikimi i njeriut në ekosistem. Ne si organizatë joqeveritare do t’i përfaqësojmë gjithmonë interesat e qytetarëve dhe kemi krijuar një strategji komunikimi që është rekomandim i UNESCO-s, por interesi i qeverisë dhe institucioneve të tjera nuk është ai që duhet të jetë”- tha Nderim Polozhani- Organizata Joqeveritare “Caps” Strugë.
Arkeologu Sasho Kiroski nga Shoqata për Mbrojtjen e Pasurive Natyrore dhe Kombëtare thotë se në 15 vitet e fundit nuk është realizuar asnjë projekt nga Instituti dhe Muzeu i Ohrit dhe nuk ka asnjë hulumtim shkencor arkeologjik, edhe pse e gjithë kjo parashikohet nga plani i projektit të UNESCO-s që duhet të zbatohet deri në vitin 2029.
“Më vjen turp kur presim të vijë UNESCO dhe të na thotë se çfarë duhet të bëjmë me liqenin më të vjetër në Evropë dhe në botë. A kemi një gram kapacitet që të mund ta mbrojmë liqenin, presim gjithë kohën të na thonë të tjerët dhe nuk dimë të ndalojmë dhe t’i zgjidhim mbeturinat që kemi”- pohoi Sasho Kiroski -Shoqata për Mbrojtjen e Pasurive Natyrore dhe Kombëtare.
Sipas Arijan Merollit, studiues dhe ekspert i zonave të mbrojtura, nevojitet bashkëpunimi i të gjithë të përfshirëve në rajon, sepse në dy misionet e UNESCO-s në 2017 dhe 2020, ka një numër të madh vërejtjesh për 19 rekomandime për të cilat nuk janë marrë masa deri më sot.
“Nga ana maqedonase, iniciativa më e mirë është kthimi i lumit Sateska në shtratin e vjetër. Megjithatë, për problemet e tjera konkretisht, asgjë deri tani. Nuk e di se çfarë ka në planin e rivitalizimit që duhet të ishte diskutuar me të gjithë aktorët në rajon”- tha Arijan Merolli-Studiues dhe Ekspert i Zonave të Mbrojtura
OJQ-të thonë se nuk janë as të njohur me planin e rivitalizimit dhe paralajmëruan se do të kërkojnë nga Qeveria respektimin e Strategjisë së komunikimit nga pala maqedonase dhe shqiptare për të pasur transparencë dhe rezultate në mbrojtje.
