Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore ka reaguar për vendimin e djeshëm të Qeverisë që kufizoi lëvizjen në qytetin e Kumanovës duke filluar nga premtja në orën 21, deri ditën e hënë (06.04.2020) në orën 5, përcjell TV21. OEMVP këtë e quan veprim të shpejtuar dhe të gabuar të Qeverisë.
“Ky vendim është i papranueshëm pasi që është sjellur vetëm disa orë para se të fillojë kufizimi i lëvizjes së lirë nga ora 21:00 dhe ditën para se të fillojë uikendi dhe qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut njoftohen vetëm disa ore më herët. Kjo situatë shkakton huti dhe panik tek qytetarët e asaj zone, të cilët në mungesë të furnizimit me ushqim bazë mblidhen në turma njerëzish për të kryer furnizime të nevojshme. Kjo situatë rrit nivelin e rrezikut që të shpërndahet koronavirusi edhe më shumë, fakt që nuk është interes i askujt në këtë periudhë të pandemisë COVID-19” thuhet në reagimin e OEMVP-së, të cilët njëkohësisht apelojnë tek institucionet që çdo lloj vendimi i ngjashëm që do të merret, të njoftohen qytetarët së paku 48 orë para hyrjes në fuqi./TV21
