OEMVP kundërshton masat e Qeverisë: E tha Bezhoska, inflacioni nuk po ulet ndërsa po dëmtohet biznesi

TË FUNDIT

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) konsideron që masat e Qeverisë nuk janë adekuate për zvogëlimin e inflacionit, andaj sipas tyre, duhet të ndërmerren masa alternative dhe në të ardhmen duhet të ndërpriten praktikat e institucioneve për mos konsultimin e odave ekonomike gjatë ndërmarrjes së të njëjtave. 

 “Oda ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore si institucion i cili për mision ka mbrojtjen dhe avancimin e bizneseve por edhe ekonomisë në përgjithësi, gjithmonë apelon që masat që ndërmerren nga ana e Qeverisë dhe institucioneve përkatëse të bazohen në analiza dhe me parashikim të detajuar të rreziqeve që mund të sjellin të njëjtat. I tillë ishte rasti i ngrirjes së  vazhdueshme të çmimeve të dhjetëra produkteve, e cila në fund po dëshmon që kjo masë nuk ka arritur efektin e parashikuar dhe proklamuar. Në bazë të deklaratës së Guvernatores së Bankës Popullore Anita Angelovska Bezhoska, Inflacioni ka arritur në 9.5% që dëshmon për faktin se masa e ndërmarrë nuk ka sjellë efektet e pritura, ndërkaq bizneset e sidomos prodhuesit dhe tregtarët  janë dëmtuar, ndërsa nga ana tjetër edhe qytetarët vazhdojnë të ngelen të pambrojtur nga inflacionit”, theksohet në kumtesën e Odës.