Erling Haaland ka vendosur një tjetër rekord në karrierën e tij ndërkombëtare. Sulmuesi i Norvegjisë shënoi dy gola në fitoren 3-2 ndaj Danimarkës në Ligën e Kampionëve dhe u bë lojtari nga vendet skandinave me më shumë gola në historinë e futbollit ndërkombëtar për meshkuj.
Haaland të enjten e dërgoi në 64 numrin e golave me Norvegjinë në 56 paraqitje, duke kaluar rekordin e suedezit Zlatan Ibrahimoviç, i cili shënoi 62 gola në 122 ndeshje me kombëtaren e Suedisë.
Sulmuesi i Manchester City-t vulosi fitoren në minutën e 74-t, duke ndihmuar Norvegjinë të regjistronte fitoren e parë konkurruese ndaj Danimarkës. Trajneri i Norvegjisë, Stale Solbakken, e përshkroi instinktin e Haalandit para portës si diçka të lindur.
“Nuk është e mundur të shpjegohet dhe as të mësohet. Ai ka lindur me të. Është instinkt”, tha Solbakken.
Haaland, i cili debutoi me ekipin e parë të Norvegjisë në vitin 2019, ka një mesatare prej më shumë se 1.1 golash për ndeshje në nivel ndërkombëtar.
“Është çmenduri. Është diçka e përditshme që Haaland shënon gola, ndaj është e arsyeshme që të jetë aty lart, por gjithsesi është diçka e jashtëzakonshme ”, deklaroi mesfushori norvegjez Sander Berge.
Rekordi i ri i Haalandit nuk u ndal vetëm te Ibrahimoviçi. Me 64 golat e tij, 26-vjeçari ka kaluar edhe legjendën braziliane Ronaldo Nazário, i cili e mbylli karrierën me 62 gola për Brazilin.
Megjithatë, rekordi nga vendet skandinave i përket futbollit të femrave. Ish-sulmuesja e Suedisë, Lotta Schelin, ka realizuar 88 gola me kombëtaren.
