Objekt tregtar mbi varrezat antike? Ndërtimi mund të bëhet pasi të mbarojnë hulumtimet arkeologjike

TË FUNDIT

Pasi të përfundojnë hulumtimet arkeologjike, këto sarkofagë dhe pllaka me epitafe, mund që më të mos jenë këtu por të transferohen nëpër muze ose lokacione të tjera.

Pasi të pastrohen dhe të përfundojnë punët nga Qendra për konservim, pronari apo investitori ka të drejtë që ndërtojë. Këtë e pohon edhe vetë drejtori për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, duke shtuar se ndërtimi do të ndalej vetëm nëse gjendet trashëgimi kulturore e palëvizshme.

“¬Çfarë mund ta ndërpresë ndërtimin e objektit që është paraparë këtu?
-Në këto pjesë, lokalitete arkeologjike nëse hasim në themele të ndonjë bazilike apo ndonjë lagje arkeologjike, si shtëpi, murale të ndryshme, atëherë me automatizëm ndërpritet puna, mirëpo nekropolet, varrezat në 99% të rasteve pastrohen dhe nuk mund të jetë bllokadë për ndërtim.”- deklaroi Arian Asllanaj, drejtor i Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore.

Pas katër ditësh që kur hap çështja për këtë lokalitet, sot në terren dolën edhe funksionarë shtetërorë. Këtu erdhi zv/kryeministri i parë, Artan Grubi bashkë me sekretarin shtetëror të Ministrisë së Kulturës.

Grubi u shpreh se lejet dhe dokumentacioni për punët ndërtimore nga investitori janë në rregull.
“Investitori na shpjegoi gjithë procedurën dhe lejet që ka marrë nga institucionet përkatëse, të cilat janë prezentë këtu, me ç’rast edhe sektori i urbanizmit ka ftuar investitorin që t’i prezantojë të gjitha dokumentet nëse i ka marrë lejet përkatëse, për të bërë ndërtimin në këtë objekt. Pas shqyrtimit të gjithë dokumentacionit vlerësohet se investitori i ka kryer të gjitha procedurat dhe ka marrë leje nga Qendra për konservim dhe të gjitha artefaktet që gjenden këtu do të dërgohen në muzeun e Shkupit, Qendrën për konservim e cila po bën në fakt punimet këtu e jo investitori.”- deklaroi Artan grubi, zv/kryeministër i parë.

Ndonëse dje punimet u ndërprenë nga Inspektorati i Ndërtimtarisë, nga atje sot na informuan se e kanë parë dokumentacionin dhe se gjithçka është në rregull që punimet arkeologjike të vazhdojnë.

Përndryshe këtu sipas Planit Urbanistik këtu planifikohet të ndërtohet objekt tregtar.