Sipas raportimeve të “New York Times”, Irani të hënën iu përgjigj një kërkese të SHBA-së për një ndalim 20-vjeçar të pasurimit të uraniumit, duke propozuar një pezullim prej pesë vitesh.
Sipas burimeve nga të dyja palët, negociatorët amerikanë, të udhëhequr nga zëvendëspresidenti JD Vance, gjatë bisedimeve në fundjavë në Islamabad të Pakistanit, i kërkuan Iranit të ndalojë plotësisht aktivitetet e pasurimit të uraniumit për një periudhë prej 20 vitesh.
Në përgjigjen e saj zyrtare të hënën, Teherani propozoi një moratorium dukshëm më të shkurtër, prej pesë vitesh. Gjithashtu, në lidhje me kërkesën tjetër të SHBA-së për largimin e të gjithë uraniumit të pasuruar shumë nga vendi, Irani ka ofruar që rezervat ekzistuese të “hollohen në mënyrë të konsiderueshme”.
Bisedimet maratonë mes SHBA-së dhe Iranit, të zhvilluara në Islamabad, përfunduan pa arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare që do t’i jepte fund konfliktit të gjatë diplomatik dhe ushtarak mes dy vendeve dhe aleatëve të tyre.
Negociatat u mbajtën gjatë një armëpushimi të brishtë dyjavor të ndërmjetësuar nga Pakistani, i shpallur më 8 prill, dhe përbëjnë një nga kontaktet më të larta diplomatike mes Uashingtonit dhe Teheranit që nga viti 1979.
Megjithatë, pavarësisht diskutimeve intensive, dallimet kryesore mes palëve mbeten të pazgjidhura.
