Mure të çara, dyshemetë e shkatërruara, banka të vjetra, dhe llamba elektrike të prishura, janë pamje të përditshme në shkollën fillore “Bajram Shabani” në Kumanovë. Nxënësit çdo ditë rrezikohen nga shembja e mureve apo kulmit të shkollës, që janë të vjetra rreth një shekull. Kjo Shkollë është ndarë në dy pjesë, njëra e rinovuar, kurse pjesa tjetër kanë vetëm 10 metra afërsi por nuk i plotëson kushtet.
Ky objekt është ndërtuar në pronë komunale, dhe komuna ua ka dhënë në shfrytëzim nxënësve. Ndërkaq për ndërtimin e shkollës së re, shkolla duhet të ketë, vendim pronësie.
Për shkak të planit të përgjithshëm komunal të vitit 2000, shkolla nuk ka arritur ta fitojë pronësinë dhe aktualisht mund të rinovohet por assesi të ndërtohet e re, thotë kryetari i komunës së Kumanovës, Zoran Damjanovski.
Problem tjetër është lëvizja e fëmijëve nëpër shkallët e vjetra prej druri, që rrezikon nxënësit në çdo moment. Andaj, autoritetet komunale është mirë të ndërmarrin masa për renovimin apo ndërtimin e objektit e ri shkollor, derisa nuk është bërë vonë.
Ministria e Arsimit konsideron se, zgjidhja më e mirë e këtij problemi do të ishte ndërtimi i shkollës së re. Nëse ndërtimi i objektit shkollor futet në planin e vitit 2016, ne do ta bëjmë një gjë të tillë thotë ministri, Abdylaqim Ademi.
Drejtori i shkollës sqaron se me gjithë kushtet e vështira për nxënës dhe personelin arsimor, buxheti i shkollës ka mbetur i njëjtë dhe nuk është rritur për asnjë denarë.
Miradije Hasani
