Numër rekord i të sapoinfektuarve në bazë ditore në Gjermani

TË FUNDIT

Gjermania kumtoi për numër rekord të rasteve të reja të koronavirusit të ri – 6,638 në 24 orët e fundit.

Kështu, numri i përgjithshëm i njerëzve të infektuar në vend që nga fillimi i pandemisë arriti në 341,223 persona, sipas të dhënave nga Instituti Robert Koh. Rekordi i mëparshëm ditor i Gjermanisë ishte 6,294 i infektuar të rinj më 28 mars.

Kancelarja Angela Merkel u bëri thirrje shteteve gjermane të marrin qasje të përbashkët për ta parandaluar epideminë e koronavirusit. Numri i të vdekurve është rritur për 33 në 9,710.

Merkel paralajmëroi se numri i infeksioneve të reja mund të arrijë 19.200 në ditë nëse vazhdon trendi aktual.

Ajo theksoi se nga pikëpamja ekonomike, Gjermania nuk mund të përballon mbyllje të re, si në valën e parë të epidemisë. Situata duhet të zgjidhet urgjentisht, deklaroi Merkel pas një takimi me kryeministrat e shteteve federale, në të cilin u ra dakord për masa shtesë kundër përhapjes së koronavirusit.

“Ne kemi miratuar buxhet që parashikon një borxh të ri prej mbi 250 miliardë euro vetëm për këtë vit. Për këtë arsye, ne nuk mund të lejojmë, përfshirë ekonomikisht, një valë të dytë si ajo në pranverë me të njëjtat pasoja”, tha Merkel, duke shtuar se nuk ka të bëjë vetëm me sistemin e kujdesit shëndetësor.

Kancelarja theksoi se vendi është në një fazë kritike në luftën kundër Kovid-19 dhe sjellja e njerëzve në javët e ardhshme do të jetë thelbësore./MIA