Borxhi publik amerikan për herë të parë ka tejkaluar shifrën prej 40 trilionë dollarësh (40 mijë miliardë dollarë), tregojnë të dhënat e Departamentit amerikan të Thesarit, duke rritur më tej presionin mbi financat shtetërore.
Niveli i ri rekord është arritur vetëm pesë muaj pasi borxhi në mars arriti në 39 trilionë dollarë, dhe më herët se sa kishin parashikuar analistët.
Në rritjen e borxhit kanë ndikuar, ndër të tjera, edhe miliarda dollarë të ardhura të munguara nga tarifat doganore të presidentit Donald Trump, të cilat u shpallën të pavlefshme. Për këtë arsye, Departamenti i Thesarit është detyruar të marrë hua më shpejt për të përmbushur detyrimet e shtetit.
Rritja e borxhit nxjerr në pah edhe më shumë prioritetet e kundërta të administratës, nga rritja e shpenzimeve për mbrojtjen, deri te përpjekjet për uljen e çmimeve të karburanteve dhe ushqimeve për qytetarët amerikanë.
Borxhi amerikan tani është më shumë se dyfish më i madh se sa ishte më pak se një dekadë më parë, gjatë mandateve presidenciale të Donald Trumpit dhe Joe Bidenit, ndërsa gjatë dy dekadave të fundit është katërfishuar.
