Nuk ka ekzistuar plan për dhunë në seancën konstituive më 27 prill 2017, dëshmuan sot një pjesë e deputetëve të cilët janë thirrur nga mbrojtja e ish-kryetarit të Kuvendit, Trajko Veljanoski.
Koordinatori aktual i grupit të deputetëve të VMRO-DPMNE-së, Nikolla Micevski, i cili edhe në përbërjen kuvendore paraprake e kishte funksionin e njëjtë, para gjykatës deklaroi se askush nuk e ka informuar për ndonjë plan, e as për këtë nuk ishte biseduar në koordinimin në Kuvend.
“As nuk kemi pasur ndonjë informacion e as dikush tek koordinimi nuk ka informuar për ndonjë plan. Përkundrazi, në koordinimet e shumta në atë moment na u tha të kemi kujdes nga çfarëdo provokimi verbal ose ndonjë provokim tjetër”, tha Micevski.
Edhe deputeti Panço Minov theksoi se nuk ka pasur njohuri për ndonjë plan për rrezikimin e rendit kushtetues në shtet.
Dragan Danev i VMRO-DPMNE-së, i cili gjithashtu u thirr si dëshmitar i mbrojtjes, tha se Veljanoski nuk e ka shkelur Rregulloren për punë të Kuvendit.

Në seancën e sotme dëshmojnë disa deputetë të përbërjes kuvendore paraprake të cilët janë thirrur nga Mbrojtja e Trajko Veljanoskit.
Në seancën e fundit më 26 gusht me propozimin e Veljanoskit, u prezentua një video nga vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit më 27 prill 2017.
Rasti ndodhet në procedurë dëshmuese dhe e udhëheq gjykatësi Ilija Trajkov.
Të akuzuar në këtë lëndë janë ish-kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanoski, ish-ministrat e Transportit dhe Lidhjeve dhe Arsimit, Mile Janakievski dhe Spiro Ristovski si edhe ish-drejtori i DSK-së, Vladimir Atanasovski.
Ata ngarkohen se kanë kryer vepër penale “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”.
