Nuk ka orë policore! Qytetarët me mendime të ndara për masat restriktive

TË FUNDIT

Komisioni për Sëmundje Infektive në mbledhjen e sotme ka vendosur që nuk ka nevojë për momentin të vendosin masa të reja restriktive e as orë policore.

Pas vendimit të Komisionit për Sëmundje Ngjitëse, TV21 zhvilloi një vox pop me qytetarët për t’i pyetur nëse janë të mendimit se duhet të ketë ose jo orë policore duke pasur parasysh gjendjen momentale me koronavirusin. Qytetarët me mendime të ndara.

 TV21: A duhet të ketë përsëri orë policore?

“Për disa që janë të pa marrë vesh duhet të ketë orë policore, por për fat të keq të gjithë do të jemi në shtëpi pastaj”.

Një qytetar mendon se duhet të kemi  24 orë policore.

“Unë po të isha ministër 24 orë do të mbaja orë policore, a më kuptuat 24 orë. Me këtë popull nuk mundet ndryshe, thotë se nuk duhet të ketë grupime e gjërat të tjera ne e bëjmë të kundërtën nga 5 persona, nga 10, duhet të respektohet diçka”.

“Kot flet ministri kur nuk marrim vesh. Askush nuk mban maskë, pra për dikë vlen ligji, për dikë jo! Maskë, distancë, nëse kjo nuk ndihmon atëherë dihet, orë policore”.

“Mendoj se nuk duhet të ketë sepse ne duhet vetë të mbajmë llogari për shëndetin, masat, protokollet dhe prandaj vlerësoj se nuk duhet të ketë orë policore”.

“Duke pasur parasysh numrat që janë të frikshëm edhe numri i të infektuarve edhe viktimave, me të vërtetë nuk shoh opsion tjetër përveç orës policore”.

E një zonjë mendon se për orë policore duhet të vendosin të tjerët.

“Të tjerët le të vendosin”!

E njëri prej të anketuarve edhe pas pothuajse 10 muajve që vendi ballafaqohet me korona virusin, ende nuk beson se ekziston virusi.

“Ka virus vetëm për ata që shohin lajme, përndryshe nuk ka”.

TV21: Ju nuk besoni se ka virus? “Absolutisht. E gënjejnë gjithë botën”.

Ndërkohë që Komisioni për Sëmundje Ngjitëse përkundër asaj që nuk propozoi masa shtesë restriktive, apelon që të respektohen masat në fuqi, si mbyllja e objekteve gastronomike pas orës 21:00, ndalesa për grupim të më shumë se katër personave gjatë 24 orëve, si dhe respektimi maksimal i protokolleve nga të gjithë operatorët ekonomikë.