Pyetja për zgjedhje të parakohshme parlamentare tashmë nuk është opsion për të cilin mendon LSDM-ja, që do të thotë se nuk do të ketë zgjedhje, këtë për TV21 e konfirmoi funksionar i lartë nga partia në pushtet.
“Të dielën do ta mbajmë Këshillin Qendror të partisë në të cilin do të marrim vendim për hapat e ardhshëm, por zgjedhjet nuk janë opsion më, sepse data është e sigurt për në tetor”, thonë nga LSDM-ja.
Siç tregojnë nga partia, në takimin që do të mbahet të dielën në Ohër, do të vendoset për rikonstruimin e paralajmëruar të Qeverisë si dhe për zgjedhjen e kryesisë së re, përkatësisht, do të zgjedhin nënkryetarë, anëtarë të Bordit drejtues dhe organizatave komunale. Tani për tani, nuk ka informacione se cilët do të jenë nënkryetarë të rinj, por jo zyrtarisht thuhet se ka gjasa që Muhamed Zeqirin përsëri ta propozojë Zaevi me qëllim të mbahet koncepti “Një shoqëri për të gjithë” si dhe përkrahja nga blloku shqiptar. Me këtë partia në pushtet, LSDM-ja, do të përqendrohet në fshesën s e cila është shtyrë, në nivel partiak dhe në nivel të pushtetit ekzekutiv. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski në emisionin e djeshëm “Otvoreno” në Alfa, paralajmëroi se nuk do të insistojë të ketë zgjedhje parakohshme, por se në mënyrë konstruktive do të tejkalohen të gjitha pengesat për marrjen e datës dhe se me këtë qëllim, do të propozojë në Këshillin qendror të partisë, siç tha, me gjithë potencial të tij, në nivel të dialogut të lartë, të punojë me Qeverinë që shteti ynë në tetor t’i fillojë negociatat aderuese.
“Interesi i qytetarëve dhe i shtetit është mbi të gjitha dhe ashtu duhet të sillemi. Nëse e shoh unë personalisht dhe politikisht – po. Ndoshta tani është momenti kur VMRO-DPMNE-ja duhet të dalë dhe të kërkojë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe të fitojë. Por, ajo fitore a do ta largojë vendin tonë edhe për një vit tjetër të humbur deri në datën e ardhshme kur duhet të vendoset për datën e mundshme për negociata? Ato janë rreziqe që ekzistojnë”, deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Pas premtimit të ri nga Brukseli për datë në vjeshtë, partia opozitare Besa, insiston të ketë zgjedhje të parakohshme. Kryetari i partisë, Bilal Kasami tha se për shkak se premtimi i dhënë për datë në qershor nuk u realizua, Zaev duhet të shpallë zgjedhje të parakohshme.
“Pasi sot nuk u përmbush premtimi për nisjen e negociatave këtë muaj dhe nuk është dhënë asnjë garanci për hapjen e tyre gjatë këtij viti, ne e inkurajojmë kryeministrin e vendit që ta realizojë premtimin që e ka dhënë dhe menjëherë të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare, pas të cilave me siguri do të vijë një elitë politike, e cila do ta sigurojë ardhmërinë evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe qytetarëve të saj”, tha kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami.
Nga Aleanca për shqiptarët thonë se me shumë kujdes e kanë lexuar kumtesën e lëshuar nga Kabineti i Angela Merkelit. Siç thonë nga kjo parti, në kumtesë nuk kanë parë premtim të fortë për datë deri në fund të vitit. Për ta është i çuditshëm fakti që nuk ka pasur asnjë konferencë për shtyp, edhe pse siç thonë, pas takimeve të tilla është e paraparë një gjë e tillë.
“Në përputhje me deklaratat e deritanishme të Kryeministrit Zaev, dështimi i qeverisë LSDM-BDI për t’i hapur negociatat për anëtarësim këtë verë duhet të hapë rrugën për krijimin kushteve për të përgatitur vendin për zgjedhje të parakohshme, si parakusht për krijimin e një koalicioni vërtet reformist i çliruar nga hipotekat e regjimit VMRO-BDI dhe i cili ka fuqinë dhe vullnetin politik për të materializuar perspektivën evropiane të Maqedonisë së Veriut”, thonë nga Aleanca për Shqiptarët.
Sipas shkrimeve të Agjencisë gjermane të lajmeve DPA, në Berlin tashmë nuk ka dilema rreth përparimit të Maqedonisë së Veriut drejt BE-së. Gjithnjë e më shumë bëhet e qartë se Shqipëria, për shkak të krizës politike, “do të bjerë” nga pakoja, shkruan agjencia. Nga ana tjetër, “Dojçe Velle” në gjuhë maqedonase shkruan se edhe përkundër kritikave të partisë konservative, CDU, ministri gjerman i jashtëm, Hajko Mas vazhdon të angazhohet për hapjen e bisedimeve aderuese me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ai siguron se vendim përfundimtar për këtë temë nuk do të sillet në takimin e ministrave për punë të jashtme të BE-së që do të mbahet javën e ardhshme.
