Ne nuk jemi pazarxhinj për të bërë pazare rreth përqindjes. Në marrëveshjen kolektive saktësisht janë definuar kërkesat, porositi një grup i të punësuarve në arsim nga Manastiri, duke kërkuar dorëheqjen e kryetarit të i SAShK-ut.
“Këtu jemi mbledhur një grup arsimtarësh dhe kemi disa kërkesa, mes të cilave është edhe dorëheqja e Jakim Nedelkovit nga posti udhëheqes i SAShK-ut me gjithë kryesinë, formimi i një udhëheqësie të re e cila do të vazhdojë të negociojë me Qeverinë, duke i realizuar kërkesat tona sipas marrëveshjes kolektive”, tha një punësuar në arsim.
Ata thonë se unitetin e mësimdhënësve në këto 3 javë, Nedelkovi e ka hedhur në ujë. Shtojnë se ata nuk janë kukulla, siç i quan ai.
“Ai nuk mund që në javën e tretë të grevës të bëjë thirrje për proces pajtimi, të thirret në aktet ligjore që ishin sjellë së fundmi. Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se realizimi i asaj që ishte premtuar, gjegjësisht të respektohet marrëveshja kolektive që e kishim nënshkruar, edhe SAShK-u, edhe Qeveria”, tha Bllagoj Gacoski, mësimdhënës në Sh.f. “Stiv Naumov”-Manastir.
Por, i pari i Sindikatës, Jakim Nedelkov, konsideron se protestat e mësimdhënësve kanë për qëllim ta rrënojnë unitetin e SAShK-ut.
“Është e pakëndshme dhe për keqardhje që njerëzit më të arsimuar në vend lejojnë të jenë të manipuluar ose të painformuar. Protestat e këtilla dhe hyrja në hapësirat e SAShK-ut nuk u ngjajnë të punësuarve në arsim. Është shumë më legjitime që të drejtat e tyre t’i kërkojnë në kuadër të organizatës, e jo të ushtrojnë trysni të tillë mbi udhëheqësinë. Tubimet e këtilla të paidentifikuara, organizatorin e të cilave nuk e dimë, nuk na çojnë askund. Kjo është përpjekje për ta rrënuar unitetin e SAShK-ut”, u shpreh Jakim Nedelkov, kryetar i Sindikatës për Arsim.
Avokati Jovan Joanidis thotë se Sindikata ka vepruar mirë duke angazhuar pajtues, pasi në qoftë se greva vazhdon, shpenzimet për rrogat e mësimdhënësve do të duhet t’i mbulojë SAShK-u. E pyetëm nëse është e ligjshme që pajtuesi të kyçet pas fillimit të grevës?
“Gjithmonë mund të përfshihet ndonjë lehtësues. Mund ta kyçë ose Qeveria, ose SAShK-u, para se të fillojë greva ose kur ndërpritet përkohësisht, sepse pa marrë parasysh se kush e angazhon, ai mendon për të dyja palët”, tha Jovan Joanidis, avokat.
Por, nga ana tjetër, avokatja Mimoza Saltirova konsideron se pajtuesi është i paligjshëm, sepse siç shton, duhet respektuar kronologjia. Së pari merret vendim për grevën, pastaj në Ministrinë për Punë dhe politikë Sociale dorëzohet njoftim për pajtim, bëhet zgjedhja e pajtuesit ose i njëjti caktohet nga Ministria dhe në qoftë se pajtimi dështon, i gjithë procesi kalon në fazën e fundit – grevë.
“Në Paragrafin 3 të të njëjtit nen të Ligjit për Marrëdhëniet e Punës 236 thuhet se greva nuk guxon të fillojë para se të përfundojë procedura e pajtimit. E gjithë kjo është në korrelacion me Nenin 18 dhe Nenin 19 të Ligjit për zgjidhje paqësore të kontesteve pune. Këtu, në rastin konkret, gjërat janë pak të përziera dhe kjo procedurë pajtimi është jolegjitime”, tha Mimoza Saltirova, avokate.
Ndërkaq kreu i SAShK ka sqaruar se me rifillimin e procesit mësimor, nuk do të thotë se është pranuar oferta për rritje prej 12%. Sipas tij kështu ka vendosur shumica e anëtarëve të SAShK-ut dhe në njëfarë mënyre sërish janë në fillim të bisedimeve.
