Nuk do të shkyçet rryma në Qendrën Klinike, thotë kryeministri

TË FUNDIT

Në Qendrën Klinike nuk do të shkyçet rryma, deklaroi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski, duke shtuar se në “HRMV Transport” rryma tani duhet të jetë e kyçyr.

Kovaçevski tha se shpreson se deputetët dhe Kuvendi do të jenë ekspeditivë dhe do të votojnë për ridedikim të mjeteve që të mbulohen llogaritë e mbetura për rrymë të institucioneve shtetërore.

“Me rishpërndarjen e fundit të Buxhetit, Qeveria ka paraparë mjete. Ajo u dërgua në Kuvend dhe sa të bëhet rishpërndarja e mjeteve, pasi kjo është detyrë e Kuvendit, atëherë parashtresat adekuate të Buxhetit do të mund të financohen dhe të paguhen faturat e borxhlinjëve. Këtu ju pyetët për Qendrën klinike dhe për insticionet tjera në Ministrinë e Shëndetësisë, si dhe për Hekurudhat. Sa të miratohet rishpërndarja në Kuvend, atëherë menjëherë do të mund të paguhen edhe faturat nga ana e Qeverisë”, tha Kovaçevski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në konferecën e sotme për shtyp në Qeveri.

Sipas tij, një pjesë e institucioneve realisht kanë problem me pagesa të rrymës, pasi çmimi është rritur për dhjetë herë, ndërsa ndikim ka pasur edhe kriza me Kovidin. Një pjesë e drejtorëve të institucioneve, janë ndërruar, thotë Kovaçevski, por ai këtë nuk e ka bërë, siç tha, në mënyrë pompoze si disa kryeministra më herët.

Paradite është shkyçur rryma në “HRMV Transport” SHA në deponë në Lisiçe të Shkupit dhe në objektet në Veles, për shkak të borxhit për rrymë ndaj “EVN Maqedoni”. Sipas informatave të fundit, “EVN Maqedoni” kërkon nga “HRMV Transport” mbi 400 milionë denarë për energji elektrike.

EVN u ka dhënë afat disa institucioneve që deri më 15 të këtij muaji të paguajnë borxhet për energjinë e konsumuar elektrike, përfshirë Qendrën Klinike dhe “HRMV Transport”, e të tjera.