VMRO DPMNE kërkon dorëheqjen e kryetarit të komunës së Gostivarit, Valbon Limani, për shkak të gjendjes me epideminë nga uji. “A ka turp Limani dhe a ndjen përgjegjësi morale për këtë skandal” – pyet Petrushevski nga partia në pushtet.
“A turpërohet Valbon Limani, kryetari i bashkisë së Gostivarit, të thotë se nuk ndjen asnjë përgjegjësi morale për skandalin e ujit? Kandidati i Filipçes, Ahmetit dhe Taravarit, Valbon Limani, tha dje se nuk ndjen asnjë përgjegjësi morale për skandalin e ujit në të cilin u prek drejtpërdrejt i gjithë qyteti i Gostivarit. Pra, me çfarë fytyre shfaqet ai para bashkëqytetarëve të tij dhe, pa turp dhe fytyrë, thotë se nuk është përgjegjës për gabimet e njerëzve që ka emëruar për të drejtuar ndërmarrjet komunale?”, deklaroi Brane Petrushevski – VMRO DPMNE.
Edhe partia shqiptare në pushtet VLEN kërkon përgjegjësi për helmimin e gostivarasve nga uji i ndotur.
“Kushdo që, me veprim ose mosveprim, ka kontribuar në këtë skandal, duhet të përgjigjet para drejtësisë. Shëndeti i mijëra qytetarëve të Gostivarit është cenuar si pasojë e neglizhencës dhe keqqeverisjes, ndërsa kjo nuk guxon të kalojë pa përgjegjësi, siç ka ndodhur shumë herë në të kaluarën. Presim një hetim të thellë, të pavarur dhe gjithëpërfshirës, që do ta zbardhë plotësisht rastin”, thonë nga VLEN.
Nga ana tjetër kryetari i opozitares LSDM, Venko Filipçe, vizitoi Gostivarin, nga ku shtroi pyetjen se me çfarë uji po shërbehen kafenetë e restorantet.
“Kush e menaxhon tani gjendjen kur nuk ka drejtor në ndërmarrjen publike, tjetra çështje – si funksionojnë tani restorantet, me çfarë uji lahen pjatat e enët për ngrënie. Me çfarë uji shërbehen restorantet në të cilat ka mbledhime masive, apo dasma që janë shumë atraktive këtë periudhë. Shohim se është i ndaluar uji për pije dhe ka një rekomandim për t’u shfrytëzuar uji teknik. Cili është ky ujë teknik?”, theksoi Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.
Kryetari i Gostivarit Valbon Limani dje kërkoi që rasti të mos përdorët për çështje politike.
Ndërsa Kryetari i Aleancës për shqiptarët Arben Taravari në një status në facebook shkroi:
“Nuk jam i interesuar për një garë politike në shpinë të popullit. Analizat do të tregojnë të vërtetën, jo deklaratat partiake”, tha Arben taravari, kryetar i ASH-së.
Nga BDI nuk ka patur reagim për situatën e krijuar me epideminë në Gostivar. Komunikata e tyre e fundit ishte për mungesën e gjuhës shqipe në bilbordin e vendosur në hyrje të Shkupit.
