Qyteti i Shkupit njoftoi se po përgatitet për motin e lig që pritet pasditen e sotme. Sipas njoftimit, Shtabi i Krizave ka mbajtur takim dhe është mobilizuar plotësisht, ndërsa ekipet do të jenë vazhdimisht në terren, të gatshme të ndërhyjnë me kohë dhe të përballen me pasojat e mundshme.
“Të gjitha kapacitetet njerëzore dhe teknike janë vënë në funksion për mbrojtjen e qytetarëve, pronës dhe infrastrukturës së qytetit, si dhe për parandalimin e dëmeve më të mëdha. Këto aktivitete zhvillohen çdo ditë, por për funksionimin efikas të sistemit është e domosdoshme edhe përgjegjësia e secilit prej nesh”, thuhet në njoftimin e Qytetit të Shkupit.
Po ashtu bëhet e ditur se ekipet e NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” – Shkup po kryejnë pastrim intensiv të rrjetit të kanalizimit, pusetave dhe grilave kulluese, për të siguruar pranimin dhe largimin pa pengesa të ujërave atmosferike dhe për të zvogëluar rrezikun e përmbytjeve në pikat kritike të qytetit.
Qyteti u bën thirrje qytetarëve të mos hedhin mbeturina në pusetat, grilat kulluese dhe hapësirat publike, pasi kjo bllokon rrjedhën dhe pengon largimin e duhur të ujërave të shiut.
“Ngelemi vigjilentë, të mobilizuar dhe plotësisht në shërbim të qytetarëve”, theksohet në njoftim.

