Nuk do të ketë kufizim të rrymës! Bytyqi: Po mbjellin frikë, shtrenjtimi nuk do të jetë i lartë

TË FUNDIT

Nuk do të ketë kufizime të energjisë elektrike si në vendet fqinje, siguron zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi në një intervistë për Agjencinë e lajmeve MIA.

“Do të sigurojmë energji elektrike mjaftueshëm edhe nga janari. Kjo do të thotë se jeta e tyre e përditshme dhe nevojat për energji elektrike nuk do të vihen në rrezik, pra nuk do të ketë kufizime, këtë mund ta garantoj”, tha Fatmir Bytyqi, zëvëndëskryeministër për Çështje Ekonomike.  

Qeveria do ta zbusë krizën energjetike përmes masave dhe sigurimit të sasisë së majftueshme të rrymës, kurse për rritjen do të vendosë Komisioni Rregullator për Energjetikë.

“Çmimin do ta paguajmë të gjithë në periudhën që vjen, sepse angazhohemi për energji të gjelbër, për agjendë të gjelbër që do të thotë mjedis më i pastër, jetë më cilësore, secili prej nesh do të duhet ta paguajë brenda viteve të ardhshme. Dalëngadalë duhet të mësojmë se kjo shkon paralelisht“, pohoi Fatmir Bytyqi, zëvëndëskryeministër për Çështje Ekonomike.  

Zëvendëskryeministri thotë se në qoftë se duam të jetojmë në një mjedis më të mirë, atëherë duhet të paguajmë më shumë energji elektrike. Por, shtrenjtimi nuk do të jetë kaq i lartë, sqaron ai.

“E di se si Qeveri bëmë gjithçka që ishte në fuqinë tonë që të sigurohet se shtrenjtimin eventual nga 1 janari të mos jetë kaq i lartë siç paralajmëronin disa. Unë garantoj se nuk do të jetë ashtu siç dëshiron dikush të mbjellë frikë mes qytetarëve”, deklaroi Fatmir Bytyqi, zëvëndëskryeministër për Çështje Ekonomike.  

Për më pak se një javë Komisioni Rregullator duhet ta publikojë çmimin e ri të rrymës. Paraprakisht ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi tha se rritja nuk do të jetë mbi 10%.

Nga Qeveria pohojnë se nga 1 janari do të kemi rrymë pa kufizime, kurse çmimi do të jetë më i lirë në rajon, duke shtuar se paralelisht do të vazhdojë edhe investimi në burimet e ripërtëritshme të energjisë.