NPK Tetova kërkon 35 milionë denarë për paga/ Opozita braktisi seancën e jashtëzakonshme në Këshillin Komunal

TË FUNDIT

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të këshillit komunal të Tetovës, NPK Tetova kërkoi 35 milionë denarë për të paguar pagat e të punësuarve për 4 muajt e mbetur pa paguar. Sipas Kryesuesit të këshillit komunal kjo ndodhë për shkak të rritjes së harxhimeve me rritjen e çmimeve.

“Borxhet janë të trashëguara, punëtorët që janë të angazhuar me kontratë në vepër janë kryesisht të operativës, janë punëtorë krahu që bëjnë bartjen e mbeturinave dhe që mirëmbajnë sistemin e ujësjellësit. Kjo është një zgjidhje afatshkurtër deri në fund të vitit. Ato kanë kërkuar 25 milionë denarë, që besoj nuk do e kalon, por mund të jetë edhe me pak. Varësisht si do ketë mundësi dhe financa komuna e Tetovës do të shlyej borxhin atyre personave që janë me kontratë në vepër. “- deklaroi Besar Durmishi Kryetar i Këshillit Komunal.

Sipas Lulzim Shaqirit nga NPK Tetova, kjo është një ndihmë e përkohshme dhe pas këtij viti kjo ndërmarrje do të ndahet në dy ndërmarrje dhe do të tejkalojë këtë krizë.

“Kjo ndihmë është e përkohshme deri tek përfundimi i pagave të kontraktuarve në vepër prej muajin e 8 deri në muajin 12 dhe kjo është periudha afatshkurtër e zgjedhjes së problemit të ndërmarrjes”- pohoi Lulzim Shaqiri NPK Tetova.

Ndërkaq këshilltarët opozitar e lëshuan seancën me arsyetimin se nuk ka mjaftueshëm informacion se ku do të derdhen mjetet e dhëna nga komuna.

“Ne kërkuam që të jepet një raport i detajuar, për fondet të cilat kërkohen nga ndërmarrja NPK- Tetovë prej arkës së komunës së Tetovës. Bëhet fjalë për 35 milion denarë që NPK Tetova i kërkon për shërbim, për pagat e punëtorëve. Ne nuk jemi kundër kësaj dhe duam që punëtorët të paguhen por ne kërkojmë një raport të detajuar financiar nga NPK”- tha Liridon Disha- këshilltar në Komunë e Tetovës BDI.

“Ne si opozitë dhamë disa propozime që menduam se do të pranohen nga ana e shumicës, megjithatë nuk duam të jemi pjesë e këtij kaosi që është duke ndodhur në shumicën e këshillit të Tetovës. Dhamë një shembull se në qytetin tonë ka 3500 qytetarë që marrin ndihmë sociale edhe ne vend që atyre tu jepet mundësi për punë, shohim se vendosen ushtar partiak për këtë shkak nuk duam të jemi pjesë e këtij skenari. Edhe për këtë shkak e lëshuam seancën e këshillit komunal të Tetovës.” – pohoi Gligorije Stojanovski – LSDM.

NPK-ja nga 440 të punësuar, prej tyre janë 200 me kontratë në vepër. Problem i funksionimit të ndërmarrjes është edhe borxhi i qytetarëve ndaj saj i cili është 9.5 milion denarë. Sipas autoriteteve kjo është zgjidhje momentale, ndërsa pas vitit të ri do të rithemelohen dy ndërmarrje të reja.