Norvegjia dëboi një diplomat rus për shkak të spiunazhit

TË FUNDIT

Norvegjia sot kumtoi se ka dëbuar një diplomat rus, pasi që para disa ditëve në Osllo u arrestua  një norvegjez i dyshuar për spiunazh në dobi të Rusisë.

Shërbimi sekret i Norvegjisë (PST) të hënën kumtoi se para dy ditëve ka arrestuar norvegjezin e dyshuar se i ka dorëzuar informata të besueshme një personi të identifikuar si agjent i shërbimeve sekrete ruse.

“E njoftuam ambasadorin e Rusisë se një nëpunës i Ambasadës është i padëshiruar si diplomat dhe se do të lutet ta braktisë Norvegjinë”, deklaroi zëdhënësja e Ministrisë norvegjeze të Punëve të Jashtme, Siri Svendsen.

Ajo shtoi se kjo është bërë sepse veprimi i tij nuk ka qenë në përputhje me rolin dhe statusine tij të diplomatit.

Diplomati rus nga Sektori tregtar i Ambasadës do të duhet që deri në fund të javës të largohet nga Norvegjia.

Ndërsa norvegjezi i arrestuar ka punuar në Zyren për certifikata, e specializuar për kontroll të instalimeve industriale dhe të mjeteve komunikuese. Ai pranoi se ka dorëzuar informata në këmbim të “shumës së konsiderueshme të parave”, por se beson se informatat e tilla nuk i rrezikojnë interesat shtetërore.

PST në raportin e vet vjetor, të publikuar në shkurt, paralajmëroi për rreziqet nga spiunazhi në dobi të Rusisë, Kinës dhe Iranit në sfera të ndryshme./MIA