Kryetari i Strugës Ramiz Merko, i shpallur person i padëshiruar nga SHBA-të, vazhdon të shkojë në vendin e tij të punës.
Kamera e TV21 e filmoi atë duke biseduar me një person tjetër në ballkonin e komunës, para të cilit mes tjerëve është i vendosur edhe flamuri amerikan.
Ndonëse shkon në punë, Merko nuk është i hapur për të folur për mediat.
Nga kabineti i tij me një sjellje nervoze na thanë se është i zënë dhe nuk do të prononcohet.
“Ndodhemi para Komunës së Strugës, tanimë disa ditë po mundohemi të marrim një qëndrim nga kryetari i kësaj komune zotëri Ramiz Merko i cili gjendet në listën e zezë të Amerikës por është i pa kapshëm për mediat. Gjatë ditës së sotme shërbimi i tij na thanë se ai është i zënë dhe nuk mund të jep deklaratë, ndërsa do të na lajmërohen nëse ndodh një gjë e tillë, megjithatë ata potencuar se partia tanimë kanë dhënë një qëndrim sa i takon situatës së krijuar së fundmi”, raporton gazetarja e TV21 Salije Sadiku.
BDI e ngriu anëtarësinë e Merkos në kryesi të partisë, por ai vazhdon të mbetet në detyrën si kryetar komune. Pikërisht këto hapa të BDI-së i kritikoi Aleanca për Shqiptarët, e cila në Strugë është opozitë.
“Mos mundoheni të hidhni dyshime, hi dhe mjegull fakteve dhe konstatimeve të Departamentin e Shtetit Amerikan, sepse Departamentin e Shtetit Amerikan nuk kanë sjellë Vendim për hetim gjithëpërfshirës, apo ngrirje të anëtarësisë në Kryesinë dhe Këshillin e Përgjithshëm të partisë sikur paska shkelur ndonjë statut partie, por Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës kane sjellë Vendim për shpallje PERSONA NON GRATA për Kryetarë Komune, për çka kanë dalë për 24 orë, me një mori deklaratash, këtu qëndroni…”, tha Lulzim Nasufi, kryetar i ASh-së-dega Strugë.
Ngrirjen e anëtarësisë së Merkos në BDI, nga Alternativa e quajnë hipokrizi të re.
“T’ua lësh në dorë këtë rast të a.q. institucione dhe askush të mos marrë përgjegjësi politike, ky është kulmi. Po nëse ne do të kishim pasur institucione dinjitoze, që veprojnë, nuk do të kishte nevojë që SHBA-ja të na e bëjë listën e politikanëve të korruptuar!”, tha Abdylshyqyr Abedini nga Alternativa.
Nga Lëvizja Besa kërkojnë dorëheqjen e Merkos edhe nga Komuna dhe shpalljen e zgjedhjeve.
“Populli i Strugës nuk e meriton këtë trup dhe duhet të jap përgjegjësi para organeve të drejtësisë për bëmat e tij. Ambasadorja e Amerikës në televizionet e vendit dha një mesazh: Amerika nuk do të sugjerojë se çfarë do të bëjë shteti me personat e futur në listën e zezë se ky vend ka sovranin e vet, andaj ne si sovran i këtij vendi kërkojmë nga personi non grata Merko dhe partia non grata BDI që të heqin dorë nga institucionet dhe të shpallin zgjedhje”, tha Andi Ziba nga Lëvizja Besa në Strugë.
Nga VMRO-DPMNE DPMNE në Strugë thonë se autoritetet që janë juridikisht kompetente për të hetuar punën e Merkos aktualisht janë të pushtuara nga pushteti ekzekutiv dhe bashkëpunojnë drejtpërdrejt me të.
