“Njujork Tajms”: Trampi me vite nuk ka paguar tatim të të ardhurave

TË FUNDIT

Presidenti amerikan, Donald Tramp nuk ka paguar kurfarë tatimi të fitimit për 10 deri 15 vite, duke filluar prej vitit 2000, sepse ka paraqitur se ka humbur dukshëm më shumë para se sa që ka fituar, publikoi “Njujork Tajms”.

Edhe në vitin kur fitoi në zgjedhjet presidenciale dhe në vitin e parë në Shtëpinë e Bardhë, Tramp pagoi vetëm 750 dollarë amerikanë tatim të të ardhurave.

“Njujork Tajms” në raport të gjerë i përshkruan humbjet e mëdha financiare dhe evitimi shumëvjeçar të pagimit të tatimit nga ana e Trampit.

Në brifingun në Shtëpinë e Bardhë, Trampi e mohoi rrëfimin dhe tha se pagun “shumë” tatim të të ardhurave.

“Paguaj shumë dhe paguaj shumë tatim të të ardhurave”, tha ai.

Ndaj pyetjeve shtesë të gazetarëve, Trampi refuzoi të përgjigjet se sa tatim ka paguar. Ai vetëm u largua nga brifingu, transmeton CNN.

Sipas “Tajms”, Trampi i ka shfrytëzuar 427,4 milionë dollarë të cilat i janë paguar si producent i emisionit “Stazhieri” për t’i financuar angazhimet e tija të tjera, kryesisht terrenet e tij për golf.

“Tajm” shkruan edhe se Trampi me vite ka luftuar kundër Administratës tatimore rreth asaj nëse humbjet që i ka paraqitur, është dashur të rezultojnë me kthim të tatimit prej rreth 73 milionë dollarëve.

Avokati i Trampit, Alan Garten, si përgjigje ndaj akuzave në “Tajms” tha se “shumica, nëse jo edhe të gjitha faktet, nuk janë të sakta” dhe kërkoi të shqyrtohen dokumentet.

“Tajms” pohon se nuk do t’i publikojë të dhënat për paraqitjen tatimore të Trampit në mënyrë që të mos i rrezikojë burimet e veta. Të dhënat që i grumbulluan nuk i përfshijnë paraqitjet e tij personale për vitin 2018 apo 2019. ab/