Kështu dukej penda e Gllazhnjës para dy ditëve.
Për disa ditë uji në pendën e Gllazhnjës është i ndotur, edhe pse ka filluar të pastrohet kjo ka shkaktuar frikë dhe panik tek qytetarët, e nga ana tjetër autoritetet thonë se nuk duhet të shqetësohen sepse janë thjesht disa alga.
Drejtor i Ekonomisë së Ujërave në Kumanovë, Oliver Ilievski, shpjegoi se inspektorët dyshojnë se mund të jenë alga, por rezultatet finale priten në ditët në vazhdim e të cilat do të tregojnë përse uji është në këtë gjendje.
“Dikur pas reshjeve 4, 5, 6 maj, u paraqit një njollë e kuqe në pendën e Gllazhnjës, ishim në vendin e ngjarjes dhe pamë se ashtu ishte gjendja, i lajmëruam institucionet siç ishte Ekonomia e ujërave Shkup sektori i pendave dhe Inspektoratin për Mjedisin Jetësor dhe nga Inspektorati dolën në teren me inspektorët e tyre dhe e vlerësuan gjendjen. Kemi informacione paraprake se ajo është si rezultat i lulëzimit të algave pres gjatë këtyre ditëve të dalin edhe analizat përfundimtare të cilat i bëjmë dhe normal do e informojmë publikun”- deklaroi Iver Ilievski, drejtor i Ekonomisë së Ujërave në Kumanovë.
Ilievski kërkon që qytetarët të mos shqetësohen sepse për ujin për pije çdo ditë kryhen analiza dhe se deri më tani gjendja është stabile dhe nuk ka ndonjë problem.
“Qytetarët e Kumanovës nuk duhet të shqetësohen sepse uji për pije përdoret prej pendës së Likovës dhe jo prej pendës së Gllazhnjës dhe në pendën e Likovës është i pastër uji për momentin. Uji vjen nga penda e Glazhnjës në atë të Likovës nga ku atje ku lëshohet uji dhe jo nga sipërfaqja.
Ndryshe, siç informoi Ilievski në pendat ka 19 milion kub ujë, ndërsa nga ky vit pritet që edhe komuna e Likovës të kërkojë ujë për pije sepse ndërtimi i stacionit të filtrimit është drejt përfundimit.
