Në vitin 1940, polaku Witold Pilecki doli vullnetar për t’u burgosur si i infiltruar në kampin e Aushvicit.
Detyra e tij ishte të mblidhte sa më shumë informacione rreth aktiviteteve në kamp dhe të krijonte aty brenda një rrjet të guximshëm rezistence.
Pilecki qëndroi i burgosur për më shumë se dy vjet e gjysmë dhe ishte dëshmitar i shndërrimit të Aushvicit në kampin më famëkeq të vrasjes së nazistëve.
Witold Pilecki u dërgoi mesazhe sekrete aleatëve, duke u bërë i pari që dha alarmin për natyrën e vërtetë të kampit më të madh të përqendrimit.
Pilecki u lind në një familje aristokrate fermerësh polakë, në vitin 1901. Si i ri, ai luftoi kundër sovjetikëve në Luftën Polako-Sovjetike, ku u shqua për trimërinë e tij. Kur trashëgoi tokën e familjes, ai u martua dhe krijoi familje.
Mirëpo, kur nazistët pushtuan Poloninë në 1939 në fillimin e Luftës së Dytë Botërore, Pilecki u thirr përsëri për shërbim ushtarak. Polonia ra në më pak se një muaj, e ndarë nga nazistët dhe sovjetikët. Pilecki u fsheh dhe iu bashkua rezistencës polake që ishte në rritje.
Gjatë asaj kohe, Pilecki mori misionin e tij të parë të madh: Të arrestohej dhe të dërgohej në Aushvic. Në atë kohë, Aushvic njihej si një kamp pune nazist për të burgosurit e luftës. Pilecki duhet të mblidhte informacion për kushtet brenda kampit dhe të organizonte një qelizë rezistence, që më vonë mund të merrte edhe formën e kryengritjes.
Ky mision i rrezikshëm ishte vullnetar; ai mund të kishte refuzuar. Më 18 shtator të 1940, Pilecki u dërgua në Aushvic.
Kështu filluan 2 vjet e gjysmë mjerimi. Ndërsa Pilecki dhe të burgosur të tjerë vuanin nga uria, morrat dhe çimkat ushqeheshin me ta. Tifoja përhapej vazhdimisht nëpër kamp. Detyrat e punës ishin tejet rraskapitëse. Rojet kënaqeshin duke ndëshkuar çifutët. Të burgosurit, të dëshpëruar, vidhnin dhe tradhtonin njëri-tjetrin për mbijetesë. Shumë çifutë vranë veten.
Pilecki organizoi “një celulë të nëndheshme rezistence”. Në fillim ishin vetëm disa burra që ai njihte që përpara se të burgosej. Në fund u bënë gati një mijë. Ata krijuan një rrjet për të vjedhur dhe shpërndarë ushqime dhe veshje, për të sabotuar planet naziste, për të fshehur të burgosurit e plagosur dhe të sëmurë, për përhapur një ndjenjë vëllazërie dhe për të shpërndarë lajme të rregullta nga bota e jashtme.
Goditjet masive vdekjeprurëse me gaz që erdhën për të shënuar Holokaustin nuk kishin filluar ende, por krematoriumi ishte në funksion. E vetmja rrugëdalje nga Aushvici ishte përmes oxhakut.
Në atë kohë, Pilecki u përpoq të paralajmëronte botën për tmerret që po dëshmonte, por bota nuk e dëgjoi.
Pas luftës, më 8 maj të vitit 1947 Pilecki u arrestua nga autoritetet komuniste në Poloni, nën akuzën për atentate dhe spiunazh. Një vit më vonë u dënua dhe kundër tij dëshmoi edhe kryeministri polak Józef Cyrankiewicz, gjithashtu një i mbijetuar i Aushvicit. Pilecki u dënua me vdekje së bashku me tre nga shokët e tij, dhe pavarësisht lutjeve për falje nga një numër i të mbijetuarve të Aushvicit, dhe u ekzekutua më 25 maj të vitit 1948.
Historia e Witold Pilecki është botuar në një libër të shkruar nga ish-korrespondenti i luftës Jack Fairweather, që titullohet: “The Volunteer: One Man, an Underground Army, and the Secret Mission to Destroy Auschwitz”.
Burimi: BBC News & The Washington Post
