Po vazhdojnë punimet në autostradën Kërçovë-Ohër, ndërsa deri tani në 95% e hapësirës është depërtuar, por do të duhet ende kohë për tu asfaltuar.
Njëra anë nga Trebenishti deri në Ohër pritet të lëshohet në muajin gusht, ndërsa ana tjetër në fund të vitit.
Përfundimisht autostrada pritet të kompletohet në fund të vitit 2023.
Këto informacioni i dhanë drejtori i NP “Rrugët shtetërore” Ejup Rustemi dhe ministri i Transportit Bllagoja Boçvarski gjatë inspektimit të punimeve.
“Siç na informoi kontraktuesi, korsia e djathtë nga Trebenishta drejt Ohrit do të jetë komplet e përfunduar dhe e lëshuar në fillim të muajit gusht të këtij viti, ndërsa korsia e majtë do të përfundojë dhe do të lëshohet në përdorim në fund të këtij viti, në mënyrë aktive po punohet edhe në pjesët tjera dhe në tunelin i cili është në fazën përfundimtare”- deklaroi Bllagoja Boçvarski- ministër i Transportit dhe Lidhjeve.
Bëhet fjalë për gjatësi prej 57 km, e që deri në fund është paraparë të kushtojë 598 milionë euro. Por drejtori Rustemi thotë se nuk janë vetëm ato 57 km, sepse siç shtoi ka edhe shumë punë tjera.
“T’ju rikujtojë se segmenti i autostradës Kërçovë-Ohër përbëhet prej pesë nën-segmenteve, me gjatësi të përgjithshme prej 57 km dhe me vlerë të përgjithshme të paraparë prej 598 milionë euro. Të nderuar, Kërçovë-Ohër nuk është vetëm autostradë në gjatësi prej 57 kilometra, por paralelisht me të ndërtohen edhe 30 kilometra shtesë rrugë paralele të qasshme, nyje rrugore si dhe ndërtohen edhe gjashtë deviacione për rrugë lokale”- deklaroi Ejup Rustemi -drejtor NP”Rrugët Shtetërore”.
Ndërtimi i autostradës Ohër-Kërçovë filloi në vitin 2014, fillimisht ishte menduar të përfundonte në vitin 2018, më pas afati u zhvendos në qershor 2021, dhe më pas në fund të 2023. Duhej të kushtonte 378 milionë euro, por shuma u bë dyfish më e lartë edhe atë afro 600 milion euro.
Autostrada Kërçovë –Ohër është pjesë e korridorit 8 i cili përfshinë segmentin Tetovë-Gostivar-Bukojçan dhe projektin për autostradën Trebenishtë-Strugë-Qafë Thanë, si dhe Korridorin 10D, përkatësisht segmentin e autostradës Prilep- Manastir.
