Një pjesë e punonjësve do të parkohen te “Limak”, MSH me zgjidhje të përkohshme rreth kaosit me parkimin në Qendrën Klinike

TË FUNDIT

Ministria e Shëndetësisë ka siguruar 300 vendparkime në kompleksin Limak për të punësuarit në Qendrën Klinike. Ministri i Shëndetësisë Azir Aliu sot në një konferencë për shtyp tha se në këtë mënyrë jepet përgjigje për një nga problemet më të mëdha dhe kaosin e përditshëm me parkingun në këtë kompleks më të madh shëndetësor në vend.

“Në kushte kur mbi 6.000 njerëz kalojnë çdo ditë nëpër kompleksin Nënë Tereza në Shkup, dhe më shumë se 2.500 prej tyre të punësuar, çështja e parkimit nuk mund të lihet në mëshirën e improvizimeve. Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me kompaninë LIMAK SHPK Shkup, me të cilin sigurojmë hapësirë parkimi për 300 automjete, e destinuar për të punësuarit në institucionet shëndetësore që funksionojnë në kuadër të Qendrës Klinike dhe që do të kenë qasje 24 orë”, kumtoi sot në konferencën për shtyp ministri i shëndetësisë Azir Aliu.

Që nga 1 korriku, kjo hapësirë parkimi do të vihet në funksion. Ajo ndodhet rreth pesë minuta në këmbë nga çdo klinikë. Në këtë mënyrë, ne po i përgjigjemi drejtpërdrejt njërit prej problemeve më të mprehta – kaosit të përditshëm të parkimit në këtë kompleks më të madh shëndetësor në vend.

“Me zhvendosjen e veturave të të punësuarve jashtë zemrës së kampusit, lirojmë hapësirat më të afërta për pacientët. Më në fund, ata nuk do të kenë nevojë të merren me probleme të trafikut dhe të humbin durimin”, tha ministri.

Siç tha ai, të punësuarit do të informohen për mundësinë e parkimit.

Aliu tha edhe se fillon edhe zgjidhja sistematike e problemit. Do të bëjmë hartëzim të çdo cepi, do të dimë saktë sa automjete mund të parkohen.

Aktualisht, sipas ministrit, janë hartuar 700 vende për parkim ndërsa në bazë ditore janë 2.500 automjete.

Ai informon se në vijim është vendosja e tabelave informative digjitale në hyrjet e kompleksit, si dhe në pikat kyçe brenda Qendrës Klinike ku qytetarët do ta kenë më të lehtë të gjejnë klinikat dhe institucionet shëndetësore ku duhet të drejtohen. Aliu ka paralajmëruar edhe një aplikacion që do t’i drejtojë në pikën e nevojshme. Mundësia për ta bërë atë pa pagesë do të merret parasysh.

Duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari lidhur me murin e shembur pranë Klinikës së Fëmijëve, Aliu tha se procedura tashmë ka filluar dhe se do të ketë një tërheqje një metër e gjysmë që të zgjerohet rruga mbi Klinikë.