-Kemi raste të regjistruara dhe diagnostikuara në Spitalin e Kumanovës dhe në Klinikën Infektive. Në Spitalin e Kumanovës ka 11 raste të konfirmuara pozitive me koronavirus. Ky numër për momentin e vë nën pikëpyetje punën e Repartit Infektiv, sepse edhe paraprakisht, një nga punëtorët shëndetësorë kishte dalë pozitiv, tha Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.
Për shkak të situatës së krijuar, dy mjekë nga Shkupi dhe Shtipi do ta organizojnë punën në Repartin Infektiv. Në procedurë janë edhe anketat epidemiologjike, sepse ka të prekur edhe në reparte të tjera. Në Kumanovë prej sonte ora policore fillon në orën 21 dhe e njëjta do të zgjasë deri të hënën në orën 5 të mëngjesit.
-D.m.th. komplet do të kufizohet lëvizja gjatë fundjavës, ndërsa në ditët e punës, duke filluar nga e hëna, do të jetë si gjatë fundjavës siç ishte deri më tani. D.m.th. në vend se deri në orën 21, lëvizja do jetë e lejueshme prej orës 05 deri në orën 14, tha Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe.
Lëshime do të ketë vetëm për aktivitetet bujqësore dhe do të lejohet lëvizje në korniza të territorit të fshatit, vetëm për aktivitete pune. Është mirë që ka më pak pacientë të diagnostikuar me Kovid-19 në punktet, vlerësoi sot ministri Filipçe, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në lidhje me atë se a duhet të ndryshohen pyetjet e anketës epidemiologjike në bazë të së cilës vlerësohet nëse duhet të testohet personi për koronavirus. Në Klinikën Infektive në Shkup, janë shëruar tre persona të cilët janë testuar, kanë rezultuar negativë dhe janë lëshuar në shtëpi. Përveç në Kumanovë, në qytetet e tjera të vendit ora policore fillon në orën 16 dhe zgjat deri në orën 5 të mëngjesit.
