Një muaj nga pushtimi rus në Ukrainë! Mijëra të vrarë, qytete të shkatërruara dhe miliona refugjatë

TË FUNDIT

Qindra ndërtesa të shkatërruara, mijëra viktima dhe mbi 3 milionë qytetarë ukrainas u shndërruan në refugjatë për shkak të pushtimit rus në Ukrainë. Ivan Vervejko nga qyteti i rrënuar Volnovaha, është një nga ukrainasit të cilët rrëfen se si duket lufta:

“Të gjithë burrat kanë armë. E jep pasaportën dhe merr një legjitimacion ushtarak. Këtu jam me familjen, nuk kemi ku të shkojmë, nuk e di ku të shkojmë”.

Ai nuk e ka braktisur vendlindjen.

“Ne marrim gjithçka në kufirin me Ukrainën dhe unë ato gjëra i sjell në Donbas, Volnovaha. Qyteti është shkatërruar 90%. Nuk ka pothuajse asnjë ndërtesë që nuk është shkatërruar. Në çdo ndërtesë ka granata, janë ndërprerë komunikimet, gazi, uji dhe rryma”.

Edhe gazetarja Tatjana Dergaçeva nuk është larguar nga vendlindja e saj, Herson, qytet i cili është nën kontrollin e ushtrisë ruse. Para disa ditësh u mbajt një protestë paqësore kundër pushtimit.

“Çdo ditë po bëhet gjithnjë e më të vështirë për të mbijetuar. Ja unë jetoj, jam ukrainase. Ata erdhën në vendin tonë për të grabitur dhe për të vrarë. Duan të na shkatërrojnë. Nuk munden të largohen të gjithë. Kam shumë frikë, këtu mbesin vetëm fëmijët e vegjël dhe gratë”.

Për tmerrin që e përjetojnë, flet edhe Masha Vopillova, e cila në bodrumin e saj ka fshehur mbi 20 njerëz.

“Disa po tentojnë të largohen, por gjuajnë me armë edhe në korridorin e gjelbër. Nuk na lejojnë të dalim nga shtëpia, po tentojmë t’i marrim kanakaret, fëmijët janë të frikësuar. Kemi edhe miq që kanë vdekur. Ndaj njerëzve që shkuan të marrin ujë, ishte shtënë me armë”.

Tani Masha gjendet në Çeki, larg kthetrave të luftës. Me mendime dhe zemër ajo është në Ukrainë, ku i ka të afërmit. Edhe ajo është njëra nga mijëra personat, fati i së cilës përgjithmonë do ta mbajë vulën e luftës./TV21