Një javë që kur Tramp nuk është paraqitur në opinion

TË FUNDIT

Presidenti i amerikan Donald Tramp nuk është shfaqur në publik për më shumë se një javë, informon factbe.se, një faqe ku ekspozohen të gjitha fjalimet, tuitet dhe nismat politike të presidentit të SHBA-së.

Presidenti Tramp ka qëndruar përgjithësisht në heshtje, përveç postimeve në Tuiter ku ka ngritur pretendime për mashtrime të gjera me votat.

Presidenti postoi në Tuiter një koment për “zgjedhjet e të manipuluara”. (Siç ka ndodhur në shumë postime të fundit të presidentit, Tuiter vuri një paralajmërim me komentin “Ky pretendim për zgjedhje të manipuluara nuk është i vërtetuar”). Presidenti gjithashtu sulmoi rrjetin televiziv Foks njuz, një kanal lajmesh që e ka mbështetur fuqishëm gjatë presidencës së tij.

Presidenti Tramp nuk ka përmendur pandeminë, ndërkohë që ritmet e përhapjes së infeksionit janë rritur ndjeshëm këtë javë dhe janë shtuar edhe pacientët e shtruar në spitale dhe vdekjet e të sëmurëve me KOVID.

Këshilltari i lartë i ekipit për rizgjedhjen e presidentit, Kori Levandovski është njëri nga një numër ndihmësish të afërt të presidentit që kanë rezultuar të infektuar me koronavirus.

Në komentet që bëri dje, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelosi tha “Fjalët janë të fuqishme. Kur presidenti flet, fjalët e tij peshojnë një ton. Kohët e fundit kemi dëgjuar gjëra që janë shumë shqetësuese”. Por “shifrat po ashtu flasin rrjedhshëm,” tha ajo duke iu referuar “shifrave tronditëse për 144,000 infeksione të reja” të regjistruara një ditë më parë.

Shtëpia e Bardhë ka hedhur poshtë kritikat e demokratëve se Tramp, i lënduar nga humbja në zgjedhje, ka hequr dorë para kohe nga udhëheqja e vendit.

“Plotësisht e pavërtetë,” tha zëvendës zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Xhad Dir për Zërin e Amerikës. “Siç ka premtuar, Presidenti Trump po lufton fuqimisht për zgjedhje të lira e të drejta, ndërkohë që vazhdon detyrat e tij për ta vënë Amerikën në plan të parë. Ai po punon gjithashtu për të realizuar një paketë të efektshme ndihmash ekonomike, duke angazhuar anëtarë të Kongresit për një propozim që ua bën të mundur autoriteteve shtetërore e lokale t’i përgjigjen pandemisë”.

Shtëpia e Bardhë nxori të enjten disa urdhra ekzekutivë të nënshkruar nga presidenti, përfshirë një që ndalon investimet amerikane në firma kineze që kanë lidhje me ushtrinë kineze.

Tramp u takua dje për drekë me nënpresidentin Pens dhe pasdite u takua me Sekretarin e Shtetit Majk Pompeo dhe me Sekretarin e Thesarit, Stiven Mnuçin, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti, megjithatë, nuk u pa nga gazetarët të enjten. Një ditë më parë, ai mori pjesë në një ceremoni të Ditës së Veteranëve në mot me shi në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit, ku ai nuk mbajti fjalim.

Presidenti Tramp për herë të fundit foli publikisht më 5 nëntor në sallën e konferencave për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë. Tre kanale kryesore televizive ndërprenë transmetimin e fjalimit të tij kur ai filloi të ngrinte akuza të pabazuara se demokratët po bënin manipulime dhe po përpiqeshin të vidhnin zgjedhjet e 3 nëntorit.