U bënë një javë që kur Haruni është vendosur në karantinë bashkë me udhëtarë të tjerë nga Austria, që janë kthyer me fluturim humanitarë. Ai ka ardhur nga Vjena, ndërsa thotë se 12 orë ka zgjatur udhëtimi. E kur kanë ateruar në Shkup, me përcjellje të policisë janë transferuar në Strugë, për tu vendosur në hotelin “Drin”. Ai tha se aeroplani ishte përplot dhe nuk respektohej distanca.
“Në aeroport ishim në ora 8 dhe kemi pritur deri në ora 12 e 30. Në Shkup arritëm në dy e gjysmë. Çdo njëri që hynte në aeroplan i jepej nga një maskë dhe doreza, por diçka mu duk e paqartë. Kur ishim në aeroport çdo dy minuta na lajmëronin që të qëndrojmë larg njëri-tjetrit. Përgjatë udhëtimit ishim shumë afër njëri-tjetrit. Krah për krahu.” – tha Harun Abazi.
Ai ankohet për higjienën në hotel, pasi siç thotë vetëm njëherë ua kanë dezinfektuar dhomat. Thotë se s’ka ujë të pijshëm, ndërsa edhe ushqimi është i pamjaftueshëm
Sa i përket akomodimit në hotel, kushtet e dhomës janë shumë të mira se edhe hoteli është i mirë, por vetëm mungon higjiena, pastërtia, nuk ka dezinfektues në dhomë, sepse çdo lloj porosie që e bëjmë në dhomë na vjen nga jashtë dhe ne nuk e dimë në çfarë duar ka kalua ai produkt. Besoj se ne nëse qëndrojmë në këtë papastërti për 14 ditë, besoj se vetë do ta fitojmë virusin. Nuk është i mjaftueshëm, sepse gjithë e dimë kur qëndron në shtëpi 24 orë njeriu do të hajë dhe të pijë, por nuk është nevoja të ankohemi tani për ushqimin, sepse e dimë se në këto kohëra të vështira duhet të tejkalojmë disi. – tha Harun Abazi.
Në Hotelin Drin janë të izoluar rreth 180 persona që kanë ardhur nga Austria dhe Gjermania, por asnjëri prej tyre nuk është testuar. Ndryshe, dje u përfundoi karantina për 160 qytetarë të cilët janë kthyer në vend nëpërmjet fluturimeve humanitare nga shtete të ndryshme. Ata duhet të qëndrojnë edhe një javë në vetizolim në shtëpitë e tyre. Nesër përmes fluturimit humanitar do të kthehen edhe disa qytetarë nga kanë ngecur nën Londër.
Almedina Ismajli