“TrashOut” është aplikacioni më i ri që çdo qytetar i Kosovës mund ta shkarkojë në telefonin e vet. Mjafton të kesh një telefon me sistem android apo ‘të mençur’ dhe të fotografoni çdo vend ku ka mbeturina dhe ta dërgoni atë përmes këtij aplikacioni.
Me këtë aplikacion i cili është lansuar nga Iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën” po synohet që të krijohet një baze e të dhënave të mbeturinave në Kosovë.
Por, po ashtu të bëhet edhe vetëdijësimi i qytetarëve për kujdesin dhe ruajtjen e mjedisit. Përveç kësaj, iniciativa “Ta Pastrojmë Kosovën” po synon edhe të bëjë ndërgjegjësimin e institucioneve që të krijojnë politika më të mirëfillta për mjedisin në Kosovë.
Aplikacioni u lansua sot për nderë të ditës së Tokës dhe me këtë rast koordinatorët e kësaj iniciative, thanë se qëllimi i këtij aktiviteti, është që qytetarët vullnetarisht t’i identifikojnë vendet me mbeturina kudo që janë në Kosovë dhe pastaj bashkërisht me këtë iniciativë, ta përcaktojnë volumin e sasisë së këtyre mbeturinave dhe rrezikshmërinë që e paraqesin ato për qytetarët.
Ky aplikacion “TrashOut” mund të shkarkohet përmes faqeve zyrtare dhe të rrjeteve sociale të iniciativës “Ta Pastrojmë Kosovën” dhe Lëvizjes “Let’s do it Kosova”, e po ashtu në televizione janë duke u lansuar reklama vetëdijesuese se si duhet të përdoret ky aplikacion.
