Një goditje e fuqishme shqetësoi banorët e Zagrebit mbrëmë pas orës 23.
Në fillim nuk dihej se nga erdhi zhurma e madhe. Por kur banorët e Jarunit dolën jashtë panë se në park ishte formuar një gropë e madhe. Dyshimet e para i kishin se aty kishte rënë ndonjë pjesë aeroplani.
Hetimet e para tregojnë se bëhet fjalë për një fluturake pa pilot, prodhim rus. Këtë e konfirmoi edhe kryeministri kroat, Andrej Pelnkoviq.
“Sipas asaj që tani e kemi si informacion, bëhet fjalë për një fluturake nga prodhimi rus. Nuk dihet nëse ishte në pronë të armatës ruse ose ukrainase. Dihet se në Kroaci ka ardhur nga drejtimi i Hungarisë, ndërsa sipas kryeministrit Orban, në Hungari nga drejtimi i Rumanisë. Se pse ka ndodhur kjo, nëse është ndonjë gabim apo nëse ka humbur kontrollin, këtë nuk mund ta konfirmojmë në këtë moment”, tha Andrej Plenkoviq, kryeministër i Kroacisë.
Në vendngjarje janë gjetur edhe dy parashuta. Policia deri më tani nuk ka raportuar për të lënduar në zonën nga vendi i ngjarjes. Disa automjete të parkuara janë dëmtuar. Nga ajo që autoritetet kroate kanë raportuar, droni në fjalë për disa minuta ka fluturuar mbi Kroaci dhe pastaj ka rënë në Zagreb.
Presidenti kroat, Zoran Milanoviq, ngjarjen e quajti “incident serioz”. Shtoi se duhet hetuar edhe se si është e mundur që fluturake pa pilot me peshë rreth 6 tonë të kalojë në territor të NATO-s pa u bënë re nga askush.
“Ky është një incident serioz dhe kështu po e trajtojmë. Po zhvillohet hetim, duam të konfirmojmë të gjitha detajet. Faktet do të vërtetohen. Si është e mundur që një aeroplan jo i sofistikuar të kalojë mbi një anëtar të NATO-s për më shumë se një orë, pa e vënë re askush? Shërbimet ushtarake janë përfshirë në hetim. Siç qëndrojnë gjërat, avioni u ngrit nga Ukraina, u rrëzua mbi Zagreb kur i mbaroi karburanti”, tha Zoran Milanoviq, president i Kroacisë.
Nga Qeveria e Kroacisë kanë deklaruar se po ndërmerren masa për koordinim të sistemit së sigurisë dhe mbrojtjes, duke përfshirë edhe bashkëpunim ndërkombëtar, sidomos me NATO-n, që të vërtetohen të gjitha rrethanat./TV21
