Një deponi tjetër ilegale në Kërçovë, banorët kundër veprimit të komunës

TË FUNDIT

Një vatër e re deponie ilegale po krijohet në Kërçovë. Kamionë, traktorë dhe makineri të ndërmarrjes komunale po sjellin çdo ditë mbeturina në vendin e quajtur Llagu, pas centralës, vetëm 5 minuta larg qytetit të Kërçovës.

 “Kjo që po shihni prapa meje është një deponi e cila është krijuar së fundmi dhe është vetëm 5 minuta larg qytetit të Kërçovës. Sipas informacioneve të banorëve, kjo deponi është krijuar për shkak se Komuna e Kërçovës i merr mbeturinat nga deponia ilegale e cila ndodhet brenda qytetit të Kërçovës dhe i sjell këtu, pastaj i mbulon me dhe”, raporton Salije Sadiku Pinjolli – gazetare e TV21.

Deponia është shumë afër fshatit Sërbjan; vendi ka fusha të mbjella, si dhe shtëpiza vikendi ku banorët kalojnë fundjavat. Andaj, banorët duke filluar nga fshati Sërbjan e deri në Pllasnicë janë kundër këtij veprimi të Komunës së Kërçovës dhe kërkojnë të ndërpriten menjëherë aktivitetet e Komunës në këtë pjesë.

FSHATRAT E KOMUNËS SË KËRÇOVËS DHE PLLASNICËS:

“Duke filluar nga fshati Sërbjan e deri në fshatin Pllasnicë, të gjithë banorët jemi kundër këtij veprimi ilegal që Komuna e Kërçovës po ndërmerr ditët e fundit, duke na sjellë mbeturinat nga qyteti në fushat tona. Kjo është një katastrofë ekologjike dhe shkel çdo normë ligjore dhe etike të mbrojtjes së mjedisit. Kërkojmë nga kryetari i Komunës që menjëherë ta ndërpresë sjelljen e mbeturinave këtu.”

Banorët thonë se nëse Komuna nuk ndalon së vepruari, ata do të ndërmarrin masa rigoroze për këtë veprim dhe, me çdo kusht, do ta ndalojnë këtë katastrofë ekologjike.