Niveli i vaksinimit kundër fruthit shumë i ulët! Sali: Fajin e kanë antivaksinuesit, se nuk ka lidhje me autizimin

TË FUNDIT

Në vitin që lamë pas me vaksinën kundër fruthit janë imunizuar vetëm 80% e popullsisë në nivel nacional. Sipas autoriteteve shëndetësore kjo shifër është e ulët krahasuar me 95%-shin e nevojshëm me të cilin arrihet imuniteti kolektiv dhe mbron nga përhapja e epidemisë së fruthit. E shkak për vaksinimin e ulët janë lëvizjet antivaksinuese, vlerëson ministri i Shëndetësisë Bekim Sali, duke theksuar se kjo vaksinë është e detyrueshëm për çdo fëmijë.

“Mendoj se fillimisht duhet të drejtohemi te lëvizjet antivaksinuese, nuk ka arsye tjetër se përse prindi i cili është vetë i vaksinuar dhe i sigurt, i shëndosh, siç jemi të gjithë ne këtu, t’i vendos në rrezik fëmijët e tjerë. Përveç antivaksinuesve nuk shoh arsye tjetër, shkencore dhe organizative nuk ka sigurt”, tha Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.

Lidhja midis autizmit dhe vaksinës MPR është konsideruar prej kohësh një shkak shqetësues, por përfaqësuesja e UNICEFIT Patricia Di Giovanni thotë se janë bërë studime të shumta nga ana e tyre dhe se nuk është treguar asnjë lidhje. Ajo apelon deri te prindërit që të mos bien pre e informacioneve të pasakta nga rrjetet sociale.

“Nuk ka absolutisht asnjë mbështetje shkencore për pretendimin se vaksinimi dhe autizmi janë të lidhura. Si UNICEF ashtu edhe organizata të tjera ndërkombëtare kanë shpenzuar shumë para, për të gjetur një lidhje të mundshme dhe nuk ka dëshmi të tilla. E di që çdo prind i do fëmijët e tij, por i lus prindërit, i bëj thirrje që të bëjnë hulumtime të mira, sepse Google nuk ju jep dot studime të tilla”, pohoi Patricia di Giovanni, përfaqësuese e UNICEF-it.

Në prag të Javës Evropiane të Imunizimit Ministria e Shëndetësisë dhe UNICEF po nisin një fushatë për të demonstruar efektivitetin e vaksinave të rregullta për fëmijët.

Ndryshe vaksina MPR mbron nga sëmundjet e fruthit, shytave dhe rubeolës. Në vitin 2019 në vendin tonë kishte epidemi të fruthit ku shënoheshin mbi 100 të infektuar në nivel javor, ndërkaq kishte edhe fëmijë që humbën jetën nga komplikimet e këtij virusi.