Më në fund kanë nisur punimet për ndërtimin e tribunës së re në stadiumin e Çairit, projekt i cili ishte paralajmëruar në “Kontratën” e kryetarit të Komunës Visar Ganiu. Nga Komuna thonë se tribuna e re do të ndërtohet, ndërsa parku nuk do të dëmtohet.
“Në suaza të projektit, punëtorët e angazhuar nga Komuna e Çairit filluan me largimin e rrethojës së tribunës aktuale që të mund të zhvendoset terreni sportiv për disa metra përbrenda dhe me këtë të krijohet hapësirë për tribunën e re në anën tjetër të stadiumit. Kjo bëhet me qëllim për ta ruajtur të paprekur hapësirën e Parkut të Çairit. Tribunë të re patjetër, por edhe ruajtje të parkut si nevojë elementare e qytetarëve”, thonë nga Komuna e Çairit.
Punimet ishin paralajmëruar të nisin më herët, por shkaku i dokumentacionit ato kanë nisur me vonesë. Këtë e konfirmojnë edhe nga FFM.
“Ca gjëra veç më duheshin të ishin të kryera, por është çështje dokumentacioni. Shpresat janë që deri në fund të këtij muaji të grumbullohen të gjitha dokumentet dhe çështjet administrative të tejkalojnë në pikat përkatëse të institucioneve dhe në fillim të muajit të ardhshëm edhe të startojnë punimet”, thonë nga Federata e Futbollit të Maqedonisë.
Tribuna aktuale në Stadiumin e Çairit ka kapacitet prej 5.000 tifozësh ndërsa vetëm gjysma e sajë është e pajisur me ulëse. Në të shumtën e rasteve kjo tribunë është e vogël për numrin e madh të tifozëve që vijnë për ta ndjekur ndeshjet e Klubit të futbollit Shkupi.
Përgatiti: Mevludin Imeri
