Fundjava pritet të jetë e “nxehtë” për basketbollin tonë, pasi që do të nis faza e “play-off-it”.
Garat përfundimtare të këtij sezoni e që pritet të jenë dramatike, nisin me ballafaqimin ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Golden Eagle Yllit, takim ky që do të zhvillohet sonte nga ora 20:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.
Kampionia në fuqi e Kosovës, në gjysmëfinale të garave shtesë vlerësohen favoritë karshi therandasve duke marr parasysh fondin e lojtarëve që i kanë në dispozicion, por edhe ngritjen e formës të cilën e kanë përjetuar në disa ndeshjet e fundit.
Ndërkohë, as Golden Eagle Ylli nuk është skuadër e cila duhet të nënçmohet nga bardhekaltrit, pasi një gjë të tillë therandasit e kanë dëshmuar gjatë fazës së rregullt të edicionit.
Ndërkaq çifti tjetër i gjysmëfinales së “play-off”-it është Peja dhe Kosova e Re Bashkimi. Edhe në këtë duel favorit konsiderohet skuadra pejanë, e cila gjatë fazës së rregullt të edicionit ka mposhtur katër herë skuadrën prizrenase. Sfida mes Pejës dhe Kosova e Re Bashkimi luhet të dielën duke filluar nga ora 19:00.
Kujtojmë se në bazë të propozicioneve të garave për edicionin 2014/15 gjysmëfinalet e “play-off”-it zhvillohen sipas formulës 1 vs 4, 2 vs 3.
Plasmanin në finale e siguron ekipi që i pari arrin 3 fitore. Gjysmëfinalet zhvillohen sipas formatit 1 – 2 – 2, që do të thotë ekipi më lartë i plasuar e ka epërsinë e terrenit vendës dhe luan si vendës në ndeshjen e parë dhe ndeshjet eventuale 4 dhe 5.
Gjysmëfinalet e “play-off”-it
Të shtunën takohen:
20:00, Sigal Prishtina – Golden Eagle Ylli
Të dielën takohen:
19:00, Peja – Kosova e Re Bashkimi
