Kryeministri Hristijan Mickoski është optimist për non-paper franko-gjerman për integrimin gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, përcjell TV21. Mickoski tha se duhet të pritet plani përfundimtar, por nga ajo që dihet është se plani përfshin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe se është i ndarë nga procesi i zgjerimit, respektivisht do të zhvillohet paralelisht me procesin e zgjerimit.
“I përfshin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Jo të gjitha vendet janë në të njëjtin nivel të procesit të integrimit, por i përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nuk lidhet me procesin e zgjerimit, pasi të dy proceset zhvillohen paralelisht. Po, është e saktë. Disa pjesë të këtij plani nënkuptojnë që disa, do të thosha, kapituj të jenë të mbyllur, por do të ketë edhe disa rregullime këtu në periudhën e ardhshme, kështu që le të shohim versionin përfundimtar, dhe pastaj të gjithë mund ta diskutojmë. Por, në çdo rast, është një mesazh i fortë nga Bashkimi Evropian. Niveli i marrëdhënieve midis Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian është në një nivel shumë më të lartë, dhe po hapen shumë më tepër mekanizma dhe mjete që ne do t’i përdorim në periudhën që na pret. Prandaj, jam vërtet i kënaqur dhe i frymëzuar të realizoj më shumë reforma”, u shpreh Mickoski.
I pyetur nëse edhe për këtë plan vlen kushti për realizimin e ndryshimeve kushtetuese, Mickoski tha se plani nuk parasheh një gjë të tillë.
“Jo. Ndryshimet kushtetuese… Ndryshimet kushtetuese janë një kusht që e pranoi Qeveria e mëparshme, dhe që nënkupton hapjen e kapitujve. Do ta përsëris, ndoshta për të njëqindën herë, për sa kohë që unë jam Kryeministër, nuk do të mbështes kurrë ndryshime kushtetuese që nuk kanë një fund të qartë. Se do ta fillojmë procesin dhe do ta përfundojmë atë. Për sa kohë që nuk kam garanci të qarta se nuk do të ketë më çështje bilaterale apo çështje identiteti. Vetëm një lloj i tillë ndryshimi kushtetues mund ta mbështes. Nuk do të mbështes kurrë asgjë tjetër. Ja, do ta përsëris për të njëqindtën herë”, tha mes tjerash Mickoski.
