Nisi projekti për shtratin e “Lumit të Thatë” në Saraj! Janë siguruar 6 milionë euro, pritet të përfundojë për 3 vite

TË FUNDIT

Nisën punimet për rregullimin e shtratit të Lumit të Thatë në Komunën e Sarajit, projekt që synon të ulë rrezikun nga përmbytjet dhe të rrisë sigurinë e banorëve.

Aktivitetet filluan prej hyrjes së fshatit Gllumovë e duke vazhduar deri në Bojanë, gjithsej 12 kilometra.

Nga afër fillimin e punimeve e ndoqi kryeministri Hristijan Mickoski, i cili falënderoi banorët për durimin dhe tha se realizimi i këtij projekti është rezultat i bashkëpunimit institucional.

“Do të doja gjithashtu të falënderoja kryetarin e Çairit, bashkëkryetarin e VLEN-it, i cili, kur ishte ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, praktikisht nisi këtë projekt, i cili sot po bëhet realitet. Të falënderoj deputetët nga Saraji që luftojnë për më shumë projekte në komunën e Sarajit, dhe besoj se ky lloj bashkëpunimi në ekip sjell më shumë projekte dhe rezultate më të mira. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrijmë atë që qytetarët presin nga ne politikanët”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, bëri të ditur se për projektin janë siguruar 6 milionë euro, ndërsa punimet pritet të përfundojnë brenda tre viteve. Sipas tij, bëhet fjalë për një investim kapital të premtuar prej dekadash, i cili tashmë ka hyrë në fazën e realizimit.

“Sot shënojmë fillimin e realizimit të një projekti kapital, përkatësisht duke filluar prej fshatit Gllumovë deri në hyrje të fshatit Bojanë, domethënë një projekt i cili përfshin  gjithsej 12 kilometra të rregullimit të shtratit të lumit të thatë, një projekt i cili është premtuar mund të themi me dekada sot po e bëjmë realitet dhe Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor prej vitit 2025 ka filluar në kohën që me ministrinë ka udhëhequr z.Mexhiti”, u shpreh Muhamet Hoxha, ministër I Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor .

Kryetari i Komunës së Sarajit, Muhamet Elmazi, e cilësoi projektin si një investim historik për komunën. Ai tha se rregullimi i shtratit të lumit do t’u japë fund problemeve shumëvjeçare me përmbytjet, duke mbrojtur banorët, tokat bujqësore dhe pronat e tyre.

“Për vite me radhë banorët e fshatrave përgjatë këtij shtrati kanë jetuar nën kërcënimin e vazhdueshëm të përmbytjeve, kanë parë tokat e tyre të dëmtuara, shtëpitë në rrezik dhe sigurinë e familjeve të tyre të vënë në pikëpyetje në çdo sezonë të të reshurave. Sot ky kapitull shqetësimi po mbyllet”, pohoi Muhamet Elmazi, Kryetar i Komunës së Sarajit .

Ndryshe projekti parasheh thellimin e shtratit, ndërtimin e mureve mbrojtëse prej guri dhe rregullimin e brigjeve me pllaka.