Një punonjëse e re në Ministrinë e Bujqësisë ka pranuar fajësinë se ka marrë 2 mijë euro ryshfet, në një rast që lidhet me manipulime për përfitimin e fondeve të IPARD-it. Ajo është shprehur e penduar dhe ka deklaruar se pranimi i fajit është bërë pa presion, ndërsa gjatë seancës ka kërkuar edhe kthimin e 6 mijë eurove të tjera që i ishin sekuestruar nga policia, përcjell TV21.
Në këtë rast janë të përfshirë gjithsej disa persona, përfshirë ish-drejtorë dhe zyrtarë të tjerë, të cilët dyshohet se kanë ndihmuar një kompani të pakualifikuar të përfitojë fonde europiane. Sipas prokurorisë, janë përdorur ryshfete dhe ndërhyrje për të ndikuar në vendimmarrje dhe për ndarjen e 50 mijë eurove nga programi IPARD 3.
Mbrojtja e të akuzuarve dhe prokuroria kanë qëndrime të ndryshme për rëndësinë e fondeve dhe pasojat e rastit, ndërsa theksohet se dëmi prek si fondet europiane ashtu edhe buxhetin shtetëror. Pas këtij skandali, Komisioni Evropian kishte pezulluar përkohësisht një pagesë prej 2.9 milionë eurosh, e cila më pas është zhbllokuar. Procesi gjyqësor vazhdon për të gjithë të përfshirët.
