Ministri i Shëndetësisë Sasho Klekovski u vaksinua kundër gripit sezonal në Institutin e Shëndetit e Publik, me çka u shënua edhe fillimi i imunizimit falas për kategoritë e cenueshme.
“Sot u vaksinova, u paraqita për vaksinën për gripin sezonal si person me sëmundje kronike dhe dua kështu ta promovojë nevojën për vaksinim. Nuk ka mënyrë më të mirë që të mbroheni nga gripi sezonal nëse jeni mbi 65 vjeç, keni sëmundje kronike, jeni shtatzënë ose fëmijë i vogël (për këtë vendosin prindërit)”, tha Kelekovski.
Qytetarët njoftohen përmes mesazheve SMS se ku dhe kur mund ta marrin vaksinën. Klekovski thotë se më së shumti të paraqitur ka në Shkup, Prilep, Strumicë dhe Tetovë.
Pulmologu Karkinski apelon te qytetarët me sëmundje në rrugët e frymëmarrjes që të imunizohen dhe te mbrohen nga ndërlikimet e gripit.
“Shumë është e rëndësishme përveç pacientëve me sëmundje kronike edhe ata me sëmundje respiratore të vaksinohen, sepse kemi rrëmujë të tmerrshme në dhjetor dhe janar. Pacientët duhet ta mbrojnë shëndetin e tyre, sepse po rritet numri i rasteve të vdekjes e këtë mund ta shmangim me vaksinim”, tha Dimitar Karkinski.
Përndryshe, në vend tashmë kanë mbërritur 30.000 dozat e para, ndërsa sipas njoftimeve të autoriteteve shëndetësore, deri më 15 nëntor pritet të arrijë edhe një dërgesë e dytë prej 26.000 vaksinash. Gjithashtu, priten sasi shtesë, me ç’rast numri i përgjithshëm i vaksinave edhe këtë vit, sikurse vitin e kaluar, do të arrijë në 80.000 doza. Deri më tani, përmes platformës vakcinacija.mk janë regjistruar më shumë se 50.000 qytetarë. Autoritetet shëndetësore presin që çdo ditë të vaksinohen rreth 1.000 persona.
