Nikollovski për TV21: Në shkarkimin e Nora Shakirit nuk ka vend për asnjë kalkulim dhe selektivitet

TË FUNDIT

Nora Shakiri Markoviç sot është shkarkuar nga funksioni i u.d. drejtores së Teatrit të Komedisë, ndërsa vendimi është marrë nga Ministria e Kulturës. Sipas informatave, ky ndërrim vjen për shkak të raportimeve anonime për mobing nga ana e Shakirit. Ajo përmes profilit të saj në Facebook ka publikuar se shkarkimi është i pabazë dhe se në institucion nuk ka arritur asnjë raportim për ushtrim të mobingut.

TV21 kërkoi qëndrim edhe prej zëvendëskryeministrit, Ljubço Nikollovski, i cili thotë se në muajin shtator në kabinetin e tij është pranuar ankesë anonime për u.d. drejtoreshën e Teatrit Kombëtar të Komedisë, Nora Shakirim në të cilën parashtruesi ka raportuar se në institucion dënohen persona direkt me procedurë disciplinore të cilat nuk parashikohen në statusin e institucionit.

“Përveç kësaj, parashtruesi thekson se personat janë gjobitur me para gjatë procesit zgjedhor. Ankesa është analizuar nga kabineti im dhe është dërguar në institucionin përkatës kompetent, në këtë rast, në Ministrinë e Kulturës. Pas ankesës, Ministria e Kulturës i është drejtuar menjëherë Inspektoratit Shtetëror të Punës për veprime të mëtejshme lidhur me rastin. Më datë 16 të këtij muaji, Inspektorati ka kryer një kontroll të jashtëzakonshëm te punëdhënësi “Teatri i Komedisë”. Në raportin e Inspektoratit është konstatuar se punëdhënësi ka kryer procedurë disiplinore dhe ka shqiptuar masë disiplinore ndaj një punëtori gjatë procesit zgjedhor, pra pas shpalljes së zgjedhjeve lokale, duke shkelur nenin 8a paragrafi 1 pika 3 nga Kodi Zgjedhor, por edhe nenin. 34. paragrafi 1 alineja 3 e Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit dhe Konfliktit të Interesit”, thotë Nikollovski për TV21.

Nikollovski thekson se Kabineti vepron për të gjitha ankesat që vijnë dhe i dërgon në institucionin përkatës.

“Edhe në këtë rast është dorëzuar në Ministrinë e Kulturës për veprime të mëtejshme. Nuk ka vend për asnjë kalkulim dhe selektivitet në veprim. Ne jemi të gjithë të barabartë përpara ligjit dhe institucionet duhet të veprojnë pa dallim. Sundimi i ligjit është parimi bazë që ne ndjekim”, shtoi Nikolovski.

Në vend të Shakirit, u.d. drejtoreshë e Tetarit të Komedisë është emëruar Magdalena Rizova Çernih.