Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së Aleksandar Nikollovski deklaroi se pas zgjedhjeve një gjë është e sigurt, se ata nuk do të bëjnë koalicion me BDI-në.
“Pas zgjedhjeve një gjë është e sigurt dhe ajo është se me BDI-në nuk do të ketë Qeveri.”- tha
Aleksandar Nikollovski – Nënkryetari i VMRO-DPMNE.
Në intervistën për Radio Evropa e Lirë, Nikollovski tha se VMRO DPMNE do të fitojë 61 deputetë, ndërsa shtoi se programi i tyre mund të harmonizohet me atë të opozitës shqiptare.
“Pas zgjedhjeve edhe për realitetin e Maqedonisë, pa marrë parasysh se sa deputetë do ta marrim ne do të jemi të gatshëm të bisedojmë me partner potencial nga i ashtuquajturi Blloku opozitar shqiptar dhe të shohim se a mund të na bashkohen programet.”- pohoi Aleksandar Nikollovski – Nënkryetari i VMRO-DPMNE.
Izet Mexhiti nga Lidhja Euopiane për Ndryshim i pyetur për këtë deklaratë të Nikollovskit tha se ata
s’kanë partner strategjik te maqedonasit dhe koalicion e kanë vetëm me popullin shqiptar.
“Partner strategjik i opozitës shqiptare do të jetë votuesi shqiptar dhe shqiptarët. Nuk kemi partner strategjik te maqedonasit. Ne pretendojmë që të jemi fitues dhe si përfaqësues ti përfaqësojmë shqiptarët në Qeverinë e ardhshme.”- u përgjigj Izet Mexhiti – Lidhja Euopiane per Ndryshim.
Ndryshe, edhe LSDM, gjegjësisht kryetari i atëhershëm Zoran Zaev në fushatën e fundit parazgjedhore deklaronte se nuk do të koalicionojë me BDI-në, por Qeveria aktuale është e përbërë pikërisht nga këto dy parti.
