Qytetarët kanë të drejtë të dinë, kurse përgjegjësit duhet të japin përgjigje në vend që të heshtin. Kush është fajtor që ende nuk ka përgjigje në pyetjen – nga çfarë materiali janë ndërtuar spitalet modulare? Kush është fajtor për faktin se spitali duhej të duronte dy orë, kurse i njëjti u dogj për vetëm dy minuta? Kështu pyesin nga VMRO-DPMNE, duke pritur përgjigje nga kryeministri Zaev dhe ministri i Filipçe.
“Së pari – si janë ndërtuar spitalet modulare, nga çfarë materiali dhe në çfarë mënyrë? Së dyti – a ka kërkuar Ministria e Shëndetësisë specifikime dhe standarde adekuate për ndërtimin e barakave modulare? Së treti – sa është paguar për ndërtimin e tyre dhe a përkon kjo me produktin e marrë? Së katërti – pse nuk ka pasur aparate kundër zjarrit dhe sistem për mbrojtje nga zjarri? Së pesti – a është normale që në situatë pandemie, mbrojtjen shëndetësore në Spitalin Infektiv ta japin anëtarët e familjeve të pacientëve”, tha Igor Nikollov nga VMRO-DPMNE.
Përgjigjet LSDM, nga ku thonë se spitalet modulare nuk janë ndërtuar me plastikë dhe shkumë polistireni siç ishte ndërtuar Shkupi 2014.
“70 vjet, një pllakë nuk është ndryshuar në Qendrën klinike, 11 vjet VMRO-DPMNE as nuk e lëvizi gishtin për sistemin shëndetësor, për personelin mjekësor, për pacientët. Igor Nikollov në vend të fjalëve boshe dhe gënjeshtrave, të mbajë një konferencë për mediat për të treguar se çfarë do të merrte shëndetësia dhe pacientët për 600 milionë euro. Në vend të lajmeve të rreme dhe dezinformacioneve, Nikollov dhe VMRO-DPMNE le të presin që hetimi t’i japë të gjitha përgjigjet”, thonë nga LSDM.
Në paraqitjen e parë para gazetarëve, pas dorëheqjes, ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe tha se as i ikën përgjegjësisë e as pyetjeve, duke theksuar se sistemi shëndetësor është shumë kompleks dhe i njëjti duhet të menaxhohet, sidomos gjatë pandemisë me Kovid 19. Shefja e Prokurorisë publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, Villma Ruskoska njoftoi se i gjithë dokumentacioni është kompletuar ndërsa hetuesit kanë filluar me punë. Ekspertët gjermanë tashmë punojnë me krim teknikët e MPB-së si mbështetje të PPTH-së gjatë hetimit për caktimin e arsyeve për zjarrin në spitalin modular në Tetovë.
