Nikolloski: Në Korridorin 8 po realizojmë projekte serioze infrastrukturore, pres të njëjtin përkushtim edhe nga Bullgaria dhe Shqipëria

TË FUNDIT

-Ndërtimi i pjesës rrugore dhe hekurudhore të Korridorit 8 do të kushtojë rreth 5 miliardë euro. Projektet për lidhjen hekurudhore dhe autostradale në vend po zhvillohen mirë dhe shpresoj që me të njëjtën përgjegjësi të punojnë edhe fqinjët tanë, Shqipëria dhe Bullgaria, deklaroi sot zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski, para takimit për aktivitetet dhe planet për projektet e Korridorit 8, i cili po mbahet në bashkëpunim me përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup.

Sipas Nikolloskit, shteti po tregon kapacitet për të menaxhuar projekte të mëdha infrastrukturore, ndërsa për projektet që, siç tha ai, ishin “të bllokuara dhe të harruara” vite më parë, tani ka realizim serioz.

Në lidhje me lidhjen hekurudhore me Sofjen, ai informoi se është shpallur tenderi për mbikëqyrjen e fazës së tretë nga Kriva Pallanka deri në Deve Bair dhe brenda 10 ditëve pritet të shpallet edhe tenderi për zgjedhjen e ndërtuesit.

“Shpresoj që sa më shumë kompani evropiane dhe botërore të aplikojnë për mbikëqyrjen e fazës së tretë, dhe brenda dhjetë ditëve të dalë edhe tenderi për ndërtim, në mënyrë që gjatë verës të fillojnë punimet për segmentin nga Kriva Pallanka deri te tuneli i përbashkët me Bullgarinë,” tha Nikolloski.

Vlera e vlerësuar për fazën e tretë mbetet e njëjtë. Ai shpreson që Bullgaria të ketë së shpejti qeveri stabile dhe të vazhdohet bashkëpunimi për ndërtimin e tunelit, me afat përfundimi 2031–2032, sipas planit.

Ai shtoi se po tejkalohen problemet edhe për fazën e dytë të hekurudhës nga Bllagoevci deri në Kriva Pallankë, ku të gjitha 16 tunelet tashmë janë hapur dhe pritet të përfundojë në vitin 2028. Faza e parë nga Kumanova deri në Bllagoevci është tashmë funksionale që nga fillimi i vitit të kaluar.

Në takim u diskutua edhe për krahun perëndimor hekurudhor të Korridorit 8, nga Shkupi – Jegunovcë – Tetovë – Gostivar – Kërçovë, si dhe segmenti Kërçovë – Ohër – Strugë – kufiri me Shqipërinë.

“Së bashku me Shqipërinë dhe Bullgarinë shpresojmë të punojmë me përgjegjësi të njëjtë, sepse nuk ka kuptim që ne të investojmë 5 miliardë euro, ndërsa pala tjetër të mos ketë aktivitet,” tha ai.

Sipas tij, punimet në pjesën autostradale të Korridorit 8 po ecin mirë. Po përfundon rikonstruksioni i pikës kufitare Deve Bair dhe po planifikohet zgjerimi i saj. Është hapur edhe bypass-i i Kriva Pallankës dhe rruga ekspres Stracin – Kriva Pallankë.

Aktualisht, në bashkëpunim me konsorciumin Bechtel & Enka, po punohet në autostradat Tetovë–Gostivar dhe Gostivar–Kërçovë, si dhe në përfundimin e autostradës Ohër–Kërçovë. Në fazë përfundimtare është edhe zgjedhja e ndërtuesit për autostradën Kërçovë–Bukojçan.

Gjithashtu, me BE-në në kuadër të Planit të Rritjes, po planifikohet ndërtimi i një rruge ekspres nga Kumanova deri në Stracin, duke krijuar lidhje rrugore nga kufiri me Shqipërinë deri në kufirin me Bullgarinë.

Për segmentin Trebenishtë–Qafë Thanë, pas vërejtjeve të UNESCO-s për zonën e mbrojtur, Nikoloski theksoi se nuk është në pyetje nëse do të ketë autostradë, por vetëm traseja që do të zgjidhet. Kjo çështje do të diskutohet edhe me BE-në dhe UNESCO-n gjatë muajve maj ose qershor.

Përfaqësuesi i Delegacionit të BE-së në Shkup, Ben Nupnau, theksoi rëndësinë strategjike të Korridorit 8 për qytetarët, bizneset dhe shtetin. Ai tha se BE ka siguruar 1.2 miliardë euro për realizimin e projektit dhe shpreson që fondet të shfrytëzohen sa më shpejt.

Ai shtoi se, në kushtet e krizave gjeopolitike, korridori ka rëndësi të madhe edhe për sigurinë, pasi lidh dy dete dhe rrit lëvizshmërinë ushtarake dhe sigurinë e vendeve të NATO-s dhe të Evropës.

Në shkurt të këtij viti, vendet pjesëmarrëse të Korridorit 8 në Tiranë rikonfirmuan përkushtimin për zbatimin e projektit.